Sulmuesi brazilian, Neymar, ka theksuar se ribashkimi me bashkëlojtarët e dikurshëm te Barcelona, Lionel Messi e Luis Suarez, tek Interi Miami është një perspektivë interesante. Ylli brazilian nuk e ka përjashtuar mundësinë e një lëvizjeje drejt SHBA-së, pasi kontrata e tij me Al-Hilalin në Arabi Saudite të përfundojë.
Njëri prej sulmuesve më të frikshëm në futboll, Neymar, kishte udhëhequr Barcelonën bashkë me Messin dhe Suarezin drejt sukseseve historike, para se të transferohej për 222 milionë euro te PSG-ja në vitin 2017.
“Qartë, të luaj sërish me Messin dhe Suarezin do të ishte e jashtëzakonshme. Ata janë shokët e mi, ne ende flasim me njëri-tjetrin”, ka thënë Neymar për CNN.
“Do të ishte interesante të bashkohej kjo treshe. Jam i lumtur në Al-Hilal, jam i lumtur në Arabi Saudite, por kush e di? Futbolli është plot me befasi”, ka vazhduar braziliani.
Neymari ka luajtur vetëm shtatë ndeshje për Al-Hilalin, prejse u transferua nga PSG-ja për rreth 90 milionë euro në vitin 2023. Lëndimet e kanë lënë brazilianin jashtë fushës për periudha të gjata. Kontrata e tij me klubin arab përfundon në verë.
Ai kaloi gjashtë edicioni te Parisi, ndërsa i shënoi 118 gola. Me gjithë suksesin madhor në Francë, Parisi me Neymarin dështuan ta fitojnë Ligën e Kampionëve, që ishte synimi kryesor. Më pas ylli i futbollit bëri lëvizjen për në Arabi Saudite.
“Kur u bë e ditur se do të largohesha nga Parisi, afati kalimtar në SHBA ishte i mbyllur. Kështu që nuk e kisha opsion kalimin te Miami në vitin 2023”, thotë 32-vjeçari, që për Brazilin i ka 128 ndeshje e 79 gola.
“Projekti që më prezantuan për Arabi Saudite ishte shumë i mirë. Jo vetëm për mua, por edhe për familjen time, kështu që kalimi në Arabi ishte opsioni më i mirë.
Neymari për Brazilin ka shënuar më shumë gola se ikonat si Pele, Ronaldo, Romario e Zico. Ai ka paralajmëruar paraqitjen në Kupën e Botës 2026 para se t’i jap fund karrierës ndërkombëtare.
“Do të mundohem, dua të jem atje. Do të bëj çdo gjë që mundem që të jem pjesë e ekipit nacional”, ka thënë Neymar, që nuk ka luajtur për Brazilin prejse pësoi lëndim të ligamenteve në tetor të vitit 2023.
“E di që do të jetë Botërori i fundit për mua. Goditja e fundit, shansi i fundit dhe do të bëj çdo gjë për të luajtur në të”.