Futboll

Neymari nuk pritet të kthehet shpejt në fushë

Neymar

Neymari nuk është gati për një rikthim të shpejtë në fushë, ka bërë të ditur trajneri i Al-Hilalit, Jorge Jesus, shkruan “Sky Sports” të enjten. 

Braziliani iu bashkua skuadrës nga Riadi në gusht të vitit 2023, por luajti vetëm pesë ndeshje. Ai këputi meniskun dhe ligamentin e gjurit të majtë gjatë grumbullimit me Brazilin në tetor. Pasi Neymar, 32-vjeçar, u kthye në stërvitje në korrik, u rritën zërat se ai ishte afër një rikthimi. 

Por trajneri Jesus i zvogëloi pritjet, duke thënë se Neymar nuk është ende gati për lojë. 

“Neymar është i rëndësishëm për Al-Hilalin dhe ligën në përgjithësi. Megjithatë nuk mund të specifikoj një datë se kur do të kthehet. Por ne do ta shikojmë situatën e tij në janar”, ka thënë Jesus.

Neymar me ekipin saudit ka kontratë deri në gusht të vitit të ardhshëm.