Futboll

Neymari i lënduar zëvendësohet nga Endricku

endrick

Brazili e ka ftuar tinejxherin Endrick për ta zëvendësuar Neymarin për ndeshjet kualifikuese të Botërorit këtë muaj, pasi sulmuesi i Santosit ka lëndim muskulor. 

Neymari ishte afër të rikthehej te përfaqësuesja braziliane pas 17 muajsh mungesë shkaku i lëndimit të gjurit. 

Ai ishte lënduar rëndë në gju në tetor të vitit 2023 në ndeshjen ndaj Uruguait. 

33-vjeçari tani do të ketë tjetër ndalesë dhe nuk do të paraqitet për duelet ndaj Kolumbisë dhe Argjentinës në kualifikime. 

Neymari u kthye te klubi i fëmijërisë nga Al Hilali i elitës së futbollit të Arabisë Saudite dhe i ka realizuar tri gola e po aq asistime në shtatë paraqitje në elitën braziliane. 

Neymari ka 128 paraqitje për Brazilin, ndërsa e mban rekordin si golashënuesi më i mirë me 79 gola, dy më shumë se Pele. 

Selektori Dorival Jr po ashtu ka ftuar Lucas Perrin dhe Alex Sandron si zëvendësues të Edersonit dhe Danilos. 

18-vjeçari Endrick ka 28 paraqitje me Real Madridin në të gjitha garat dhe i ka shënuar gjashtë gola. 

Me Brazilin ka 13 ndeshje të luajtura dhe tri gola të shënuar.