Prishtina ishte e mbuluar me flamuj kombëtarë të enjten. Nuk mungonin as flamujt e Kosovës. Të tillë kishte edhe në stadiumin e qytetit të Prishtinës nëntë vjet më parë, kur Kosova dhe Shqipëria zhvilluan ndeshje miqësore.
Shqipëria kishte zgjedhur Kosovën për kundërshtare në ndeshjen e parë pas kualifikimit historik në evropianin “Francë 2016”. Për Kosovën ishte ndeshja e parë kundër Shqipërisë pas lejes nga FIFA për të zhvilluar ndeshje miqësore.
“E kam pasur shumë të vështirë të jem i relaksuar para ndeshjes, edhe pse ishte ndeshje miqësore. Nuk i mbaj mend shumë detajet nga ajo ndeshje”, tha ish-përzgjedhësi i Shqipërisë, Gianni de Biasi, të enjten për KOHËN. “Por mbaj mend rezultatin dhe atmosferën e bukur. Aty ishin tifozët më të mirë, ‘Tifozat Kuq e Zi’. Kam shumë miq të mirë në atë grup”.

Për lojtarët e drejtuar atëbotë nga De Biasi, në qendër të fushës, ishte ngritur një podium i veçantë në shenjë nderimi për suksesin e jashtëzakonshëm, që Shqipëria e arriti në vitin 2016. Pasi kishin përfunduar me ngrohje, futbollistët e Përfaqësueses së Kosovës krijuan kordonin e nderit në hyrje të fushës së blertë. Mes kolonës dhe mbi tepihun e kuq, nën brohoritjet e më shumë se 20 mijë shikuesve në stadium, nëntë vjet më parë parakaluan futbollistët e Kombëtares shqiptare. Më pas, si kujtim lojtarët e Shqipërisë dhe ata të Kosovës bënë një fotografi të përbashkët.
Pas shkrepjes së fotografive ishte hapur rruga për spektakël, në fushë dhe në tribuna.
Topin e nisën Armend Dallku e Debatik Curri, që u përshëndetën nga Kombëtarja e Shqipërisë. Ata më pas i lanë vend një ndeshjeje të zhvilluar me plot emocione, ku çdo aksion dhe gol duartrokitej nga tifozët në stadium.

Duartrokitjet e para i takuan Bersant Celinës, i cili në minutën e 59-të pati shënuar nga penalltia. Duartrokitje mori edhe Rey Manaj për golin e barazimit 1:1.
Kosova pati kaluar për herë të dytë në epërsi, saktësisht në minutën e 70-të me golin e Elbasan Rashanit. Por katër minuta më vonë, atëbotë lojtari i Shqipërisë, Amir Rrahmani, shënoi për barazimin 2:2. Rrahmani tani po e udhëheq si kapiten Kosovën.
“Jam i lumtur që e përjetova këtë festë të mrekullueshme dhe shënova gol”, pati deklaruar Rashani. Ai dhe lojtarët e tjerë u ndanë të kënaqur me rezultatin e ndeshjes festive të shqiptarëve. Në ndeshjen festive nuk pati humbës.
“Një moment i jashtëzakonshëm dhe i paharruar, sidomos për ne lojtarët që kemi lindur në Kosovë”, pati thënë Lorik Cana pas përfundimit të ndeshjes.

Ndeshja e 13 nëntorit të vitit 2015 ishte e para zyrtare e Kosovës ndaj Shqipërisë pas lejes që mori nga FIFA.
Edhe para kësaj ndeshjeje, por edhe pas saj, Kosova kundër Shqipërisë luajti edhe disa ndeshje. Deri më tani nuk ka pasur ndeshje vëllazërore në kuadër të garave zyrtare.
Më 14 shkurt të vitit 1993 ishte luajtur ndeshja e parë e Kosovës dhe Shqipërisë në Tiranë. Ndeshjen e pati fituar Shqipëria 3:1.
Shqipëria e kishte nderuar Kosovën edhe në vitin 2002. Më 7 shtator në Prishtinë, Shqipëria me ekipin më të fortë të saj fitoi 1:0 ndaj Kosovës. Rreth 25 mijë shikues ishin në stadiumin e Prishtinës. Arsim Abazi kishte realizuar autogol. Për Kosovën ajo ishte ndeshja e parë pas luftës.
Në vitin 2010, me rastin e përvjetorit të Pavarësisë së Kosovës, Shqipëria fitoi 3:2 një miqësore tjetër të luajtur në Prishtinë.
Më 29 maj të vitit 2018, Kosova e Shqipëria u përballën në Zurich të Zvicrës. Në stadium ishin mbi 18 mijë shikues, thuajse të gjithë shqiptarë. Ndeshja ishte miqësore, kurse Kosova fitoi bindshëm, 3:0. Ishte fitorja e parë e Kosovës ndaj Shqipërisë. Arbër Zeneli realizoi dy gola e Edon Zhegrova një.
Më 11 nëntor të vitit 2020, në kohë pandemie, Kosova e Shqipëria u përballën në Elbasan. Ndeshjen e pati fituar Shqipëria 2:1.

Të tjera ndeshje nuk ka pasur. Por gjatë festave, flamujt kombëtarë dhe ata të Kosovës shfaqen gjithnjë në të gjitha qytetet e vendit.
Flamujt kombëtarë dhe ata të Kosovës nuk munguan as këtë të enjte, për nder të 28 Nëntorit. Por pa ndeshje futbolli. Stadiumi “Fadil Vokrri” ishte i zbrazët. Pa spektakël futbolli. Kosova dhe Shqipëria do t’iu kthehen ndeshjeve në mars.
Kosova do t’i luajë dy ndeshjet e plejofit të Ligës së Kombeve, kurse Shqipëria do të ketë ndeshje kualifikuese për Botërorin 2026.