“Erling Haaland është futbollisti i parë në histori të Premier Leagues që realizon nëntë gola në katër ndeshjet e para të një edicioni”, ka shkruar “Squawka” në platformën “X”. Kjo faqe shkruan për statistikat e lojtarëve.
Dhe Haalandi ishte i pandalshëm edhe të shtunën kur Manchester City fitoi 2:1 ndaj Brentfordit, me golat e sulmuesit norvegjez.
Yoane Wissa realizoi pas 22 sekondave lojë. Ishte goli më i shpejtë i shënuar në Premier League, ndaj një kampioni në fuqi.
Por, Haalandi u kthye me dy gola të shpejtë në minutën e 19-të dhe të 32-të, për përmbysjen e rezultatit, që nuk ndryshoi deri në fund të ndeshjes.
Në golin e dytë, Haalandi shënoi me asistim të portierit Ederson. Portieri Ederson ka katër asistime gjithsej në Premier League.
Skuadra e drejtuar nga Pep Guardiola vazhdon formën e përkryer në nisje të kampionatit me katër fitore në po aq ndeshje dhe prinë në tabelë me 12 pikë.
Brentfordi mbetet me gjashtë pikë.