Futboll

Në Suharekë premtohet stadium i Kategorisë së Dytë

Stadiumi i planifikuar ne Suharek

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Hajrulla Çeku ka publikuar disa fotografi se si do të duket stadiumi i qytetit të Suharekës. Bashkë me fotografitë, ka dhënë edhe disa informata. Ka treguar se stadiumi i ri i Suharekës do të jetë i Kategorisë së Dytë, ndërsa do t’i ketë 6.518 ulëse. 

“Plotëson standardet më të larta ndërkombëtare”, shkruan në postimin e tij ministri Çeku të enjten në faqen e tij në “Facebook”. “Tashmë është përzgjedhur koncepti ideor për stadiumin. Ka filluar hartimi i projektit zbatues dhe vitin e ardhshëm do të nisin procedurat e prokurimit për punimet”. 

Njoftimi për ndërtimin e një stadiumi në Suharekë e ka gëzuar edhe klubin kampion të Kosovës, Ballkani.

“Ne si klub jemi të lumtur që më në fund edhe qyteti ynë, qyteti i kampionëve, po bëhet me një impiant të dinjitetshëm, gjë e cila e rrit edhe më shumë dëshirën e vullnetin për të investuar në futboll. Aktualisht është bërë e ditur se koncepti ideor është përzgjedhur se vitin e ardhshëm nisin procedurat e tjera. Urojmë që sa më shpejt të bëhemi me këtë stadium!”, shkruan Ballkani.

Qyteti i Suharekës përfaqësohet me dy skuadra në elitën e futbollit kosovar. Krahas Ballkanit, në Superligë është edhe Suhareka. Dy skuadrat pretendojnë të jenë në krye të tabelës. Ballkani është në vendin e tretë me 14 pikë, kurse Suhareka me një pikë më pak në vendin e gjashtë.

Ballkani është klubi më i suksesshëm në Kosovë. Ka marrë pjesë dy herë rresht në grupet e Ligës së Konferencës, garës së tretë të UEFA-s për nga niveli.

Por, te Ballkani kanë shfaqur më herët kërkesën për të pasur kushte më të mira. Stadiumi aktual që shfrytëzohet nga Ballkani dhe Suhareka, nuk i plotëson kriteret për ndeshje ndërkombëtare. 
Ballkani është dashur t’i zhvillojë jashtë Suharekës ndeshjet e tij në garat evropiane. 

Së fundi, MKRS-ja ka njoftuar se po realizohen me përpikëri investimet në infrastrukturën sportive për të qenë gati për organizimin e Lojërave Mesdhetare të vitit 2030. Punë po bëhen në renovimin e stadiumit në Gjakovë, atij në Pejë dhe shumë objekteve të tjera sportive.

Qindra miliona euro pritet të investohen për ta përmirësuar infrastrukturën sportive, para se të mbahet kjo ngjarje shumësportëshe. Aktualisht, infrastruktura është larg standardeve që kërkohen për këtë ngjarje.

Deri më tani ka pasur vërejtje të shumta lidhur me investimet e bëra në infrastrukturë sportive. Shumë punë janë kryer keq, pa mbikëqyrjen e duhur, dhe për më tepër objektet sportive nuk janë mirëmbajtur.

Dhe kjo ka bërë që investimet milionëshe të shkojnë huq. Për shembull në Istog, ku palestra e re është bërë e pashfrytëzueshme dhe tani po rinovohet.  

Është bërë “histori” edhe renovimi i stadiumit në Gjilan e objekteve të tjera.