Erëleta Memeti në verë do të ndërrojë ambient, por do të mbetet në elitën e futbollit gjerman.
Mediumet gjermane kanë shkruar të mërkurën se pas transferimit të portieres Sophia Winlker, kapitenia e Kosovës, Memeti, do të jetë transferimi i dytë i skuadrës së Eintracht Frankfurtit. Memeti do të jetë në ambient të ri, por në skuadër do të ketë lojtare të cilat i njeh mirë.
25-vjeçarja që luan në disa pozita të sulmit është pjesë e Hoffenheimit. Te kjo skuadër është në vitin e tretë. Tre vjet i kaloi edhe te Wolfsburgu, ndërsa për dy vjet e mbajti veshur fanellën e Freiburgut.
Eintracht Frankfurti për të do të jetë skuadra e katërt e Bundesligës gjermane.
Ajo do t’i bashkohet skuadrës së madhe me kontratë dyvjeçare, deri në verën e vitit 2027.
“Erëleta ka fituar shumë eksperiencë dhe ka 100 ndeshje në Bundesligë. Ajo po ashtu luan tek ekipi nacional i Kosovës”, ka thënë Niko Arnautis, trajneri dhe drejtori sportiv i Eintracht Frankfurtit.
“Ajo është e shpejtë dhe e shkathët, një lloj lojtareje e futbollit të rrugës që do të na sjellë shumë në lojën tonë në aspektin teknik dhe mental. Në ndeshjet e Memetit mund të shohësh se ka personalitet me eksperiencë në fushë, që është në formën më të mirë dhe gjithmonë i përkrah bashkëlojtaret. Ajo luan në disa pozita në sulm. Mezi presim ta kemi në verë mentalitetin fitues dhe rrezikun për gol të Erëletës”.
Erëleta Memeti është njëra prej lojtareve më të mira te skuadra e Hoffenheimit. Ajo ka pesë gola të shënuar e gjashtë asistime në edicionin aktual të Bundesligës.
“Nëse i sheh sezonet e kaluara, është e qartë se Eintracht Frankfurti është zhvilluar shumë dhe është prej ekipeve më të mira”, ka deklaruar Memeti, shkruan “Kicker” të mërkurën.
“Stili i lojës së trajnerit Niko Arnautis përshtatet me stilin e shpejtësisë dhe dinamikës që kam unë".
Memeti synon që me Eintrachtin në vitet e ardhshme të jetë kandidate serioze për titull dhe t’i sfidojë Wolfsburgun e Bayernin.
Drejtoresha teknike e Eintracht Frankfurtit, Katharina Kiel, ka lavdëruar kapitenen e Kosovës.
“Ne jemi duke ndjekur një lojtare mirë të stërvitur që mundet lehtësisht të kyçet në zonë. Me zgjuarsinë e saj dhe me aftësitë në zona të ngushta, ajo përshtatet në mënyrë të përkryer në lojën tonë dhe dinamikën e filozofinë e Eintracht Frankfurtit, pra futbollin sulmues. Për më shumë, ajo është lojtare me mentalitet të fortë, nga e cila mund të përfitojmë brenda dhe jashtë fushës”.
Memeti i njeh tashmë disa prej bashkëlojtareve te Frankfurti.
Nga U16 deri në U20 ajo ishte futbolliste e Gjermanisë, ndërsa në vitin 2018 luajti bashkë me Laura Freigangun, Sophia Kleinhernen dhe Tanja Pawollekun në ndeshjet e raundit preliminar për Kupën e Botës U20.
Memeti në vitin 2019 vendosi ta përfaqësonte Kosovën. Ka shumë vjet që është kapitene. Dy vjet më parë ajo u zgjodh futbollistja më e mirë në Kosovë.
Memeti ka 40 paraqitje për Kosovën dhe është golashënuesja më e mirë me 17 gola.