Konfederata Evropiane e Futbollit (UEFA) të enjten ka konfirmuar se kandidatura e përbashkët e Shqipërisë dhe Serbisë është e vetmja për të organizuar Kampionatin Evropian U21 të vitit 2027. Menjëherë pasi kjo u bë e ditur, kanë nisur komentet negative ndaj Federatës Shqiptare të Futbollit.
Në fakt që në maj ishte bërë e ditur se FSHF-ja dhe federata serbe planifikonin kandidaturë të përbashkët. Vendimi i FSHF-së ishte vlerësuar i papranueshëm dhe i paarsyeshëm, kurse qëndrim të njëjtë vazhdojnë të kenë shqiptarët në Kosovë, por besohet edhe shumë nga shqiptarët në Shqipëri.
Kundër kësaj iniciative fuqishëm janë deklaruar tifozët e Shqipërisë, Tifozat Kuqezi, e po ashtu ata të Kosovës, Dardanët. FSHF-ja ka ndaluar komentet në faqen e saj zyrtare në “facebook”, e përballur me fyerje ndaj saj dhe presidentit Armand Duka.
Drejtuesit e FSHF-së nuk janë deklaruar pasi UEFA bëri të ditur se kandidatura Shqipëri – Serbi është e vetmja. Ndërkohë të premten për Evropianin e përbashkët kanë folur nga Federata e Futbollit e Serbisë.
Nëse ky projekt nuk stopohet, atëherë ndeshja e parë planifikohet të luhet në Tiranë, ndërsa finalja e Evropianit U21 të vitit 2027 në Beograd.
“Po, është e saktë që kandidatura jonë e përbashkët me Federatën e Futbollit të Shqipërisë është pranuar. Ndonëse ka shumë mundësi që në fund të fitojmë organizimin, në këtë moment këtë nuk mund ta konfirmojmë. Vendimi final do të merret më 16 dhjetor në takimin e Komitetit Ekzekutiv të UEFA”, ka thënë Milan Vukoviq, zëdhënës i Federatës së Futbollit të Serbisë.
Në federatën serbe, Evropianin e shohin si mundësi për ta promovuar Serbinë në botë.
“Nëse do të kemi mundësinë e organizimit të Kampionatit Evropian për të rinj, askush nuk duhet të dyshojë që Federata e Futbollit e Serbisë si dhe shteti i Serbisë do të jenë maksimalisht të përgatitur që çdo gjë të kalojë me standardet më të larta profesionale të futbollit evropian. As që do të lëshoheshim në diçka të tillë sikur të mos shihnim mundësi të madhe që përmes organizimit të një ngjarje kaq të rëndësishme sportive në mënyrë të dinjitetshme, të promovojmë vlerat e vendit tonë dhe shoqërisë sonë. Megjithatë, të jemi të durueshëm dhe të presim 16 dhjetorin. Më pas do të flasim për këtë temë”, ka shtuar Vukoviq.
Presidenti i FSHF-së, Duka, më herët kishte thënë se për mungesë të infrastrukturës, FSHF-ja nuk ka mundur të paraqesë kandidaturë të përbashkët me Federatën e Futbollit të Kosovës.
Por në Serbi thonë se as në këtë vend infrastruktura nuk është gati për Evropian.
“Kemi stadiume të rinovuara dhe stadiume të reja. Megjithatë nuk kërkohen vetëm stadiumet për një garë si kjo. Kemi pasur raste kur janë anuluar ndeshje ndërkombëtare dhe bartje të tyre nga Loznica në Beograd, pasi nuk janë plotësuar kërkesat e UEFA-s. Është larg nga aeroporti, nuk ka mjaftueshëm akomodim cilësor, nuk ka mjaftueshëm terrene të futbollit për stërvitje e kampe. Kështu që ky momentalisht është vetëm një rrëfim i bukur që duhet të ndodhë”, ka thënë Mihajlo Todiq, gazetar në “Sportski Zhurnal”.
Zemërimi ndaj FSHF-së për kandidaturën e përbashkët me Serbinë sa shkon e rritet. Kjo vërehet qartë në postimet që bëhen nga FSHF-ja në rrjetet sociale. Për shembull në postimin e fundit të FSHF-së zemërimin e tyre e kanë shprehur mbi 550 persona, ndërsa postimi është pëlqyer nga mbi 100 persona.
FSHF-ja pritet të atakohet edhe në të ardhmen për këtë kandidaturë që gati askush nuk e pranon dhe nuk e kupton.