Ka nisur vendosja e tapetit të ri me bari hibrid në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Të enjten janë parë punëtorë duke punuar në vënien e tapetit.
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ndau 1.3 milionë euro për ndërrimin e plotë të fushës në stadiumin në Prishtinë.
“Fusha hibrid e cila do të vendoset në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ është teknologjia e fundit e fushave dhe e para e llojit të tillë në Kosovë”, pati shkuar më 29 mars në njoftimin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit për fillimin e punimeve.
Në prill është hequr në tërësi bari i shumëkritikuar i fushës në “Fadil Vokrri”.
Më 24 nëntor të vitit të kaluar stadiumi ishte mbyllur për shkak të gjendjes shumë të keqe të fushës. Fusha ishte dëmtuar për shkak të ngarkesës së madhe dhe mirëmbajtjes jo të duhur. Ka pasur shumë kritika për gjendjen e fushës në “Fadil Vokrri”. Madje një lojtar i Izraelit e kishte krahasuar me stallë derrash.
Në fund të nëntorit UEFA nuk e kishte lejuar Ballkanin që të luante në Prishtinë, në kuadër të Ligës së Konferencës. Dhe më pas stadiumi u mbyll.
Pos ekipeve përfaqësuese, stadiumi shfrytëzohet për ndeshje edhe nga klubi Prishtina. Po ashtu nga skuadrat tjera kosovare për ndeshje në Kupa Evropiane.