Amir Rrahmani, Vedat Muriqi, Milot Rashica janë tre prej shumë lojtarëve të zhvilluar në Kosovë që po bëjnë karrierë të madhe në Evropë. Por i vogël nuk është as numri i lojtareve të rritura në Kosovë, që po shkëlqejnë në klube të ndryshme të Evropës.
Kaltrina Biqkaj, Donjeta Halilaj, Lumbardha Misini, Fatlinda Ramaj, Edona Kryeziu e Erendina Elezaj janë futbollistet që janë bërë të rëndësishme në klubet e tyre.
Biqkaj të enjten shënoi supergol për Trabzonsporin në Superligën e Turqisë për futbolliste. Për Biqkajn, e cila iu bashkua në gusht të vitit të kaluar, ishte goli i pestë në 19 ndeshje. Trabzonspori të enjten humbi 3:1 nga Beylerbeyi. 24-vjeçarja nga Kamenica kaloi nga klubi i futbollit Mitrovica. Me shumë sukses te Trabzonspori po luajnë edhe Lumbardha Misini dhe Fatlinda Ramaj. Misini ka një gol të shënuar, kurse Ramaj tre. Misini është kapitene te Trabzonspori.
Te Beshiktashi po shkëlqen Donjeta Halilaj. Ajo ka shënuar katër gola, ndërsa skuadrës turke i ishte bashkuar në vitin 2023 nga Mitrovica.
Nga Mitrovica te Dinamo Zagrebi kaloi edhe Edona Kryeziu. Ajo për Dinamon ka shënuar nëntë gola në 16 ndeshje. Te klubi i madh kroat është edhe Erendina Elezaj, po ashtu nga klubi Mitrovica.
Futbollistja Biqkaj është e kënaqur me paraqitjet e saj.
“Jam shumë e kënaqur me paraqitjet e mia personale, sepse çdo ditë e më shumë jam duke punuar dhe duke u zhvilluar në aspektin fizik dhe teknik, gjë që po më ndihmon shumë në paraqitjen në fushë”, ka thënë Biqkaj për KOHËN të enjten.
Ajo ka besim se mund të arrijë edhe më shumë.
“Pres më shumë nga vetja, pasi ky ka qenë vetëm një hap i rëndësishëm në karrierën time jashtë Kosovës. Besoj që me punë dhe disiplinë mund të arrij edhe më lart”, është shprehur Biqkaj.
Trabzonspori është në vendin e gjashtë me 39 pikë, kurse Beshiktashi një pozitë me lart me 43 pikë.
Trajneri i Mitrovicës, Seidi Onbashi, thotë se paraqitjet e lojtareve të rritura në Kosovë, janë dëshmi për punën që po bëhet në klube.
“Paraqitja e lojtareve të rritura në Kosovë ka dëshmuar punën, në veçanti te klubi jonë, ku stërvitemi pesë herë në javë dhe që kemi kushte të mira për punë falë edhe mbështetjes nga kryetari. Ato tashmë janë bërë prej lojtareve kryesore në klubet në Evropë. Nuk duhet të anashkalohen edhe klubet e tjera, sepse edhe aty punohet, por besoj që KFF Mitrovica është një klub shumë i organizuar ku edhe paguhemi 12 muaj. Mendoj që është motivim për punën dhe për t’u zhvilluar edhe më shumë”, ka thënë trajneri i Mitrovicës për KOHËN të enjten.
Ai ka shtuar se edhe lojtare të tjera nga klubi Mitrovica do të ndjekin rrugën e Biqkajt, Halilajt, Misinit, Ramajt, Kryeziut e Elezajt.
“Kemi edhe disa lojtare që mund të luajnë pa problem në liga të njohura të Evropës. Paraqitjet e lojtareve që tashmë po i dëshmojnë vlerat e tyre, patjetër që kanë hapur dyert edhe për lojtaret e tjera”, është shprehur Onbashi.
Biqkaj, Halilaj, Misini, Ramaj, Kryeziu janë prej lojtareve kryesore të Kosovës. Biqkaj ka rekordin për paraqitje në përfaqësueset e Kosovës. Ajo ka luajtur 60 ndeshje me “Dardanet”. Elezaj po ashtu ftohet rregullisht nga Shqipëria.