Borussia Dortmundi do të ketë skuadër shumë të limituar kur të mërkurën mbrëma të përballet me Barcelonën në kuadër të xhiros së gjashtë të Ligës së Kampionëve.
Të martën është konfirmuar se mbrojtësi Niklas Sule ka pësuar tjetër lëndim dhe do të jetë jashtë fushës për disa muaj.
Dortmundi e pret Barcelonën të mërkurën nga ora 21:00, ndërsa të dy skuadrat synojnë të bëjnë hapin e madh drejt një të tetës së finales. Të dy skuadrat i kanë nga 12 pikë pas xhiros së pestë.
Skuadra gjermane shënoi katër fitore deri më tani, ndonëse u përball me lëndime të shumta. Pos Sules, të lënduar te Dortmundi janë mbrojtësi Waldemar Anton dhe mesfushori Julian Brandt. Në dyshim janë sulmuesit Maximilian Beier dhe Karim Adeyemi.
Trajneri Nuri Shahin ka lënë të kuptohet se Sule ka pësuar lëndimin e njëjtë të nyjës që e mbajti jashtë fushës gjatë tetorit e nëntorit. Kapiteni Emre Can, që zakonisht luan në mesfushë, mund të kthehet në mbrojtje për të luajtur përkrah Nico Schlotterbeckut ndaj Barçës.
Gjermanët, megjithatë, kërkojnë suksesin.
“Nëse ia dalim nesër, do të bëjmë hap të madh drejt tetëshes së parë. Barcelona është fqinje në tabelë, por ne duam të fitojmë ndeshjen. Nuk ka favorit në këtë ndeshje, dy skuadrat luajnë në të njëjtin nivel. Ne kemi kapacitetin për të fituar ndeshjen. Shumë do të varet nga forma që e shfaqim nesër mbrëma. Natyrisht, duam të shkojmë larg në Champions. Dhe hapi i parë është të mbesim në tetë të parët”, ka thënë Shahin.
Tetë skuadrat e para në tabelë pas tetë xhirove të fazës së ligës kualifikohen direkt në një të tetën e finales. Skuadrat prej pozitës së nëntë deri në pozitën e 24-t kalojnë në plejof.
Te Dortmundi presin përkrahje të madhe edhe nga tribunat. Për ndikimin e “murit të verdhë”, siç njihen tifozët e Dortmundit, është i vetëdijshëm trajneri i Barcelonës, gjermani Hansi Flick.
“Do të luajmë në një stadium fantastik, në një atmosferë të pabesueshme. Por unë kam besim të plotë në ekipin dhe në atë që e bëjmë. Duhet të qëndrojmë të bashkuar për të fituar ndeshjen”, ka thënë Flick.
Barca në La Liga nuk është në momentin më të mirë. Lëshoi pikë edhe në fundjavë dhe tani e ka shumë pranë Real Madridin.
“Humbëm dy pikë në ndeshjen e fundit dhe kjo dhemb shumë. Janë disa situata që duhet t’i përmirësojmë dhe jam i bindur se mund të bëjmë gjëra të mëdha. Besoj se mund ta mposhtim Dortmundin dhe të luajmë mirë”, ka shtuar Flick.
Me shumë interesim pritet edhe ndeshja mes Juventusit dhe Manchester Cityt, që po ashtu fillon në ora 21:00.
Juventusi ka gjasa jo të mëdha që të kualifikohet direkt në një të tetën e finales, por shumë do të varet edhe nga ndeshja me Cityn. Juve i ka tetë pikë. Manchester City i ka po ashtu tetë pikë.
Skuadra e Pep Guardiolas po sfidohet shumë seriozisht këtë edicion. Pos që pësoi një humbje dhe barazoi dy herë në Champions, ka mbetur shumë prapa edhe në garën për titull në Premier League.
“Me rezultatet që kemi në shtatë-tetë ndeshjet e fundit, nuk jemi në pozitë për të folur shumë për fitore. Ne duhet të fitojmë ndeshjen së pari e më pas të fokusohemi në ndeshjen që vjen. Juventusi është ekip historik, i mësuar të luajë nën presion të madh dhe me shumë kualitet. Vizioni i Thiago Mottas vërehet qartë. Ka shumëllojshmëri të pabesueshme në lojën e Juves”, ka thënë Guardiola.
Trajneri i Juventusit, Thiago Motta, ka thënë se duhet të mbrohen mirë kur City të sulmojë dhe të luajnë me shumë kualitet kur e kanë topin.
“Luajmë ndaj ekipit që ka dëshirë të sulmojë, por edhe ne mund të bëjmë probleme kur e kemi topin. Duhet të kemi koncentrim maksimal në atë që duhet të bëjmë. Në vitet e fundit Manchester City ka fituar çdo gjë dhe ne vetëm mund të urojmë këtë skuadër për vlerat që ka shfaqur. Guardiola është trajner shumë i mirë. Këtë e dëshmojnë rezultatet. Ai ka fituar dhe e ka bërë këtë vazhdimisht”, ka thënë Motta.
Prej orës 18:45 të mërkurën janë ndeshjet Atletico Madrid – Slovan Bratislava dhe Lille – Sturm Graz.
Ndeshjet tjera nga ora 21:00 janë Milan – Cërvena Zvezda, Arsenal – Monaco, Benfica – Bologna, Feyenoord – Sparta Pragë, Stuttgart – Young Boys.
Xhiroja e shtatë në Champions është më 21 e 22 janar, ndërsa xhiroja e tetë, përkatësisht e fundit, më 29 janar.