Futboll

Ndikimi i madh i sulmuesit të Kosovës në Rumani

Astrit Selmani

Në fund të vitit të kaluar, sulmuesi i Kosovës, Albion Rrahmani, u shpall lojtari më i mirë i huaj në Rumani për shkëlqimin që pati gjatë edicionit 2023/2024 me fanellën e Rapid Bukureshtit. 

Një tjetër sulmues i Kosovës po shkëlqen në edicionin aktual të kampionatit rumun. Bëhet fjalë për Astrit Selmanin, që ftohet kohë pas kohe nga Kosova.

Sulmuesi 27-vjeçar po e udhëheq Dinamo Bukureshtin drejt plejofit të Superligës rumune të futbollit dhe rrjedhimisht edhe në garën për titull.

Ai të martën mbrëma shënoi golin e njëmbëdhjetë me fanellën e Dinamos këtë edicion. 

Selmani shënoi golin e vetëm në fitoren e Dinamo Bukureshtit ndaj Otelulit, në kuadër të xhiros së 25-të. Ai realizoi gol nga penalltia në minutën e 98-të. Për Dinamon ishte fitorja e 11-të nga 25 ndeshje. Bashkë me Universitatea Cluj kanë nga 44 pikë. 

Deri në fund të pjesës së rregullt të edicionit në Rumani kanë mbetur edhe pesë xhiro. 

“Dua që ne të sigurojmë plejofin sa më shpejt të jetë e mundur”, ka thënë Selmani.

Selmani insiston se Dinamo me meritë ka mbledhur 44 pikë.

“Nuk ka të bëjë me fatin. Ne meritojmë gjithçka që kemi bërë. Jam shumë i kënaqur me situatën në të cilën ndodhemi. Po punojmë shumë. Janë fituar 44 pikë, ndoshta na duhen edhe disa, por jemi në situatë shumë të mirë. Do ta shijojmë pjesën e mbetur të kampionatit. Edicionin e kaluar vuajtëm, tani duam t’i bëjmë të lumtur tifozët tanë”.

Selmani iu bashkua Dinamo Bukureshtit në shkurt të vitit të kaluar si lojtar i lirë, pas largimit nga ekipi izraelit Beer Sheva.

Selmani ka folur edhe për ndeshjen që Dinamo e fitoi me vështirësi ndaj Otelulit. Theksoi se kishte besim deri në fund se Dinamo do ta fitonte ndeshjen.

“Mendova se do të shënonim, bëmë presion dhe fituam një penallti. Kjo ishte e mirë. Nuk kisha shumë mundësi gjatë ndeshjes. Mbaja topin, luaja majtas dhe djathtas duke u përpjekur të gjeja hapësirë. Luajta për ekipin. Ishte një ndeshje e vështirë. Detyra ime është të ndihmoj bashkëlojtarët e mi. Duam të luajmë futboll, por ndonjëherë duhet të luajmë ndryshe. Ishte një lojë ndryshe, shumë e rëndësishme dhe ne fituam”, ka thënë Selmani.

Ai ka folur edhe për penalltinë e realizuar në minutë ne 98-të.

“Kur pashë vendimin e VAR-it isha i përgatitur mendërisht të gjuaja në këndin e majtë. Sigurisht që ka presion, por ky është futbolli, gjithmonë duhet të jeni të vendosur në situata të tilla. Për ne në fund ishte një ditë e mirë”, ka thënë Selmani.

Selmani për Kosovën ka një gol të shënuar në pesë ndeshje nga viti 2021. Është ftuar herë pas here. Ai pritet të jetë pjesë e Kosovës për ndeshjet e plejofit për qëndrim në Ligën B të Ligës së Kombeve kundër Islandës. Kosova ndaj Islandës i luan dy ndeshjet në mars.

Në kampionatin rumun paraqiten edhe disa futbollistë shqiptarë. Por asnjëri aktualisht nuk e ka ndikimin e Selmanit.