Futboll

Ndikimi i familjes në karrierën brilante të Berat Gjimshitit

Berat Gjimshiti

(Blick) – Berat Gjimshiti kishte shansin të luante në tokën e Zvicrës për herë të dytë prejse u largua nga Zurichu tetë vjet më parë. Dhe njëjtë si në vitin 2021, ai qëndroi ulur në bankinë ndaj Young Boysit për të pushuar këmbët për shkak të një lëndimi. Skuadra e Gjimshitit, Atalanta, fitoi 6:1 të martën në mbrëmje në ndeshjen e Ligës së Kampionëve.

Kjo nuk ndikoi në disponimin e familjes së tij. Vëllau, Bilenti, që udhëtoi për në Bernë nga Zurichu me babanë e tij, shprehet i arsyeshëm.

“Ka ndeshje edhe më të rëndësishme për Atalantan në javët e ardhshme. Për këtë është mirë që ai nuk luan për të rrezikuar në fushën me bar artificial”, ka thënë vëllai i Gjimshitit, që është katër vjet më i madh se mbrojtësi.

Vëllezërit Gjimshiti ishin gjithnjë të afërt. Shpesh Berati i bën 350 kilometra për të vizituar familjen e tij në Zurich-Affoltern.

“Por prindërit tanë shkojnë shpesh në Bergamo për të parë ndeshjet. Dhe dëgjohemi shumë shpesh”, thotë Bilenti. “Ndonjëherë edhe para ndeshjeve“.

Përkrahja e familjes ishte me rëndësi të madhe për karrierën brilante të Gjimshitit.

“E mbaj mend një telefonatë para se të shkonte te departamenti i të rinjve në Zurich. Isha i vetëm në shtëpi kur papritur një skaut nga Zurichu thirri dhe pyeti nëse Berati ishte ende i interesuar. Natyrisht, i thashë po menjëherë, pa bërë asnjë pyetje”, tregon Bilenti.

Por Bilenti asnjëherë nuk ka pritur që vëllai më i vogël do të ketë karrierë kaq të suksesshme, që do të jetë fitues i Ligës së Evropës dhe kapiten i Kombëtares së Shqipërisë.

“Për mua ishte 50 – 50”, pranon ai.

Kur u bë lojtar startues te Zurichu në moshën 19-vjeçare, e gjithë familja e ka ditur se ai do t’ia dalë si profesionist. Ai gjithnjë ka ushtruar me seriozitet, me ambicie dhe me synimin për t’u bërë futbollist profesionist.

Pas një largimi të pakëndshëm nga Zurichu, Gjimshiti firmosi me Atalantan në vitin 2016. Në dy vjetët e parë luajti huazim, së pari në Avellino e më pas në Benevento.

Në vitin 2018 u kthye tek Atalanta, nën drejtimin e Gian Piero Gasperinit. Atje vazhdoi zhvillimin, njëjtë si klubi, dhe u bë mbrojtës i kalibrit.

A do të luajë Gjimshiti në Zvicër sërish?

“Ai ka kontratë deri në vitin 2026 dhe nuk mendoj se e ka mendjen te kjo për momentin. Atij i pëlqen shumë Bergamo”.