Futboll

Ndeshjet evropiane, Ballkani e Drita do t’i luajnë në “Fadil Vokrri”

Stadiumi "Fadil Vokrri"

Stadiumi "Fadil Vokrri"

Federata e Futbollit e Kosovës të premten ka njoftuar se Ballkani dhe Drita të cilat janë kualifikuar për në raundin e tretë kualifikues të Ligës së Konferencës ndeshjet si vendas do t’i zhvillojnë në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Stadiumi “Fadil Vokrri” do ta presë edhe ndeshjen e javës së parë në edicionin e ri të Superligës së Kosovës në futboll ndërmjet Prishtinës dhe Suharekës.

“Kemi vendosur që të lejojmë zhvillimin e ndeshjeve në stadiumin ‘Fadil Vokrri’, përkundër faktit që fushës ende i duhet kohë, por stafi i stadiumit e ka bërë të pamundurën që ajo të përgatitet në kushte optimale. Nuk kemi dashur që klubet tona të vijnë në situatë që t’i zhvillojnë ndeshjet e këtij rrethi jashtë vendit. Uroj që ato të kenë sukses në fushën e re të stadiumit ‘Fadil Vokrri’ dhe të kalojnë tutje në Ligën e Konferencës”, është shprehur Kryetari i Federatës së Kosovës në futboll, Agim Ademi për faqen zyrtare të FFK-së.

Fusha e stadiumit të qytetit të Prishtinës pas rinovimit u testua me ndeshjen e futbollisteve të Kosovës dhe Ukrainës, ndeshje e cila i takoi kualifikimeve për “Euro 2025” para disa javësh.

Ballkani do të luajë kundër Larnes së Irlandës së Veriut, ndërsa Drita kundër Audas të Letonisë. Të enjten si vendas luan kampioni i Kosovës, ndërsa skuadra gjilanase ndeshjen e parë e luan në udhëtim.