Futboll

Ndeshja ndaj Shqipërisë do të jetë e veçantë për mbrojtësin unik të Anglisë

Burn

Futbollisti i Newcastle United, Dan Burn, e di se karriera e tij nuk është zhvilluar gjithnjë në drejtimin e duhur. Por në moshën 32-vjeçare, papritur, gjithçka po shkon si duhet për mbrojtësin që të premten mund të debutojë për përfaqësuesen e Anglisë.

Pesë ditë më parë Burn u telefonua nga selektori i ri i Anglisë, Thomas Tuchel, që e njoftoi se është pjesë e ekipit për ndeshjet kualifikuese për Kupën e Botës ndaj Shqipërisë dhe Letonisë, që zhvillohen në “Wembley”.

Të dielën, goli i bukur i Burnit me kokë, hapi rrugën që Newcastle ta fitoi trofeun e parë vendor në 70 vjetët e fundit. Newcastle Unitedi e mposhti 2:1 Liverpoolin në finale të Kupës së Ligës. Për tashmë reprezentuesin e Anglisë, ishte goli i parë këtë edicion.

Të martën të gjithë në qendrën stërvitore të Anglisë dëshironin të flisnin me mbrojtësin me karrierë jotipike.

“Kam pasur javë më të këqija”, ka thënë Burn për gazetarët.

“Kur të enjten u bë ora gjashtë në mbrëmje dhe nuk dëgjova asgjë, i thashë gruas sime se mendoj që asgjë nuk do të ndodhë. Më pas mora një mesazh se ‘a jam ende zgjuar?’. Tucheli më tha se i ka telefonuar të gjithë që nuk ia dolën të jenë në ekip, kështu që sërish mendova se nuk ia dola. Por më pas ai tha se ka dashur ta përfundojë ditën në disponim të mirë dhe se me dëshiron në skuadër”.

Thirrja e Burnit tek Anglia është vazhdim i ëndrrës së këndshme për një djalosh që kaloi “shkollën” e rrugës së vështirë. 

I lindur në Blyth, në afërsi të Newcastlet, karriera e mbrojtësit nisi në Blyth Spartans. Më pas lëvizi te Darlington. I kaloi pesë vjet te Fulhami, duke përfshirë huazimet te Yeovil Town dhe Birmingham City, por u lirua në vitin 2016. Pas një periudhe te Wigan Athletic, tërhoqi vëmendjen e Brightonit. Pasi u stabilizua si mbrojtës i Premier Leagues, klubi i tij i dashur, Newcastle United, u lajmërua në janar të vitit 2022. Pagoi 13 milionë funte për ta kthyer atë në shtëpi.

Kontributi në triumfin në Kupën e Ligës e ka forcuar emrin e Burnit në folklorin e klubit, por ai tani synon edhe më lart – finalet e Botërorit të vitit të ardhshëm.

“Nuk kam ardhur si tifoz, dua të luaj. Dua të lë përshtypje sa më shumë që është e mundur dhe të sigurojë ftesë për kampin e radhës. Qartë që çdo fëmijë ëndërron të luajë në Kupën e Botës. Kështu që ta dijë se mund ta kem atë rast është e veçantë. Kur kalojnë kaq shumë grumbullimeve të ekipit përfaqësuese, ju disi e pranoni se koha ka kaluar. Por për fat selektori i ri më ka dhënë një shans”, thotë Dan Burn.

Ai ka luajtur në pozita të ndryshme në mbrojtje gjatë karrierës. Ka luajtur mbrojtës i majtë, ndërsa ka thënë se do të paraqitej edhe lojtar i krahut të djathtë vetëm që të jetë në fushë.

Por janë paraqitjet si mbrojtës i qendrës që i siguruan vend tek Anglia. Shquhet për paraqitjet e fuqishme dhe ndërhyrjet e ashpra, kurse për këtë i kanë folur tashmë bashkëlojtarët në përfaqësuese.

“Mbaj mend se e godita keq Jared Bowenin kur ishte te West Ham Unitedi dhe menjëherë shkova t’i kërkoj falje”, ka thënë Burn, duke shtuar se lëvizjet e shumta në karrierë e kanë bërë më fleksibil.

“E di se për çka jam i mirë dhe mendimet e vetme që janë të vlefshme për mua janë ato të trajnerit të Newcastle Unitedit, Eddie Howe dhe të selektorit të Anglisë. Ndaj meje ka pasur shumë dyshime gjatë gjithë karrierës. Mendoj se jo shumë njerëz që më kanë parë duke luajtur për Darlingtonin do të thoshin se unë do të qëndroj këtu ulur në një konferencë të Anglisë”.

Ndeshja Angli – Shqipëri zhvillohet të premten në “Wembley”.