Futboll

Ndeshja e veçantë e sulmuesit Weah ndaj Milanit

Timothy Weah

Timothy Weah synon që të shënojë gol në stadiumin ikonik “San Siro”, kësaj radhe kundër ish-skuadrës së babait të tij. 

Milani do të jetë nikoqir i Juventusit të shtunën nga ora 18:00, në derbin e madh italian që i takon xhiros së 13-të të Serie A. 

Weah pritet t’i prijë sulmit të Juventusit në mungesë të Dushan Vlahoviqit të lënduar. 

Te Juventusi përveç tij të lënduar janë edhe Gleison Bremer, Nico Gonzalez, Arkadiusz Milik, Douglas Luiz e Juan Cabal. 

Weah është sulmues krahu por në mesjavë është testuar edhe si sulmues qendre dhe ka shënuar dy gola ndaj Juventusit U17. 

Babai i tij, George Weah, ishte prej lojtarëve kryesorë sa luante te “rossonerët”. Ai me Milanin pati 58 gola të shënuar e 36 asistime në 147 ndeshje. 

Juventusi është ekipi i vetëm në Serie A këtë edicion që nuk ka humbje pas 12 ndeshjeve. Ka gjashtë fitore e gjashtë barazime dhe zë vendin e gjashtë me 24 pikë. 

Milani me një ndeshje më pak të luajtur është një vend më poshtë me 18 pikë.

Xhiroja e 13-të në Serie A hapet të shtunën nga ora 15:00 me ndeshjen Verona – Inter, ndërsa ballafaqim interesant pritet të jetë edhe ai mes Napolit dhe Romës, që luhet nga ora 18:00 të dielën. 

Te Napoli prej minutës së parë pritet të luajë kapiteni i Kosovës, Amir Rrahmani. 

Napoli është lider me 26 pikë, një më shumë se Atalanta, Fiorentina, Interi e Lazio.