Ballkani e Drita kanë shënuar fitore të pritura të enjten në kuadër të xhiros së 33-të të Superligës së Kosovës në futboll. Por fitore nuk shënoi Llapi që sërish mbeti prapa në garën për titull të kampionit të Kosovës. Dhe gjasat që Llapi të përfshihet sërish në luftë për titull janë goxha të vogla.
Tri xhiro para fundit të edicionit, Ballkani udhëheq në tabelë me 69 pikë. Drita tani është e dyta me 65 pikë, sa i ka edhe Llapi në vendin e tretë.
Kampioni në fuqi, Ballkani, fitoi 2:0 në udhëtim ndaj Malishevës. Bajram Jashanica shënoi për 1:0 në minutën e 31-të, ndërsa Bernard Karrica në minutën e 90-të vendosi rezultatin përfundimtar, 2:0.
Malisheva shumë më herët ka siguruar pozitën e katërt dhe në xhirot e fundit ka luajtur goxha e relaksuar. Të tilla i kishte edhe rezultatet.
Njëjtë ndodhi edhe me Prishtinën, që të enjten ishte nikoqire e Dritës në stadiumin e “Ramiz Sadikut”. Skuadra gjilanase fitoi 2:1. Besnik Krasniqi shënoi nga pika e bardhë në minutën e 27-të, ndërsa Blerim Krasniqi shënoi golin e fitores në minutën e 57-të. Për Prishtinën realizoi Drilon Islami në minutën e 39-të.
Prishtina është stabilizuar në pozitën e pestë dhe është e fokusuar te suksesi në Kupë.
Ndeshja më e fortë u zhvillua në Gjilan, ku nuk kishte fitues. Gjilani e Llapi barazuan 1:1. Rastet ishin të shumta gjatë 90 minutave, por të dy skuadrat konkretizuan vetëm nga një herë.
Gjilani kaloi në epërsi 1:0 me të nisur pjesa e dytë. Një intervenim të zbehtë të portierit llapjan e shfrytëzoi Senad Jaroviq që shënoi për 1:0. Llapi barazoi në 1:1 në minutën e 54-t. Realizoi top-golashënuesi i Superligës, Muhamet Hyseni.
Asnjërës skuadër nuk i kreu shumë punë barazimi. Llapi humbi hapin me Ballkanin, ndërsa Gjilani ra në pozitën e tetë, që në fund dërgon në barazh. Gjilani i ka 36 pikë, një më pak se Feronikeli 74, që doli në vendin e shtatë.
Skuadra nga Drenasi, Feronikeli 74, nuk lejoi befasi duke fituar 4:1 ndaj Lirisë së Prizrenit, të përshëndetur shumë kohë më parë nga Superliga.
Skuadra tjetër e përshëndetur nga Superliga, Fushë Kosova, luajti si vendase ndaj Dukagjinit në Kampin Nacional të FFK-së në Hajvali. Kjo ndeshje nisi me një orë vonesë. Në fakt Fushë Kosova deri më tani ka luajtur si vendase në Lipjan. Por Komuna e Lipjanit vendosi që stadiumi në këtë qytet të shfrytëzohet vetëm nga skuadrat lipjanase.
Dukagjini fitoi me rezultatin 2:1 ndaj Fushë Kosovës.
Ballkani mund ta bëjë hapin tjetër të madh drejt titullit menjëherë të dielën. Në kuadër të xhiros së 34-t e pret Fushë Kosovën. Llapi po ashtu pret fitore ndaj Malishevës, ndërsa më shumë do të sfidohet Drita, që e pret Feronikelin 74.
Në xhiron e 34-t, të dielën, takohen: Liria – Gjilani, Llapi – Malisheva, Ballkani – Fushë Kosova, Dukagjini – Prishtina, Drita – Feronikeli 74
FT: Gjilani 1:1 Llapi
(Senad Jaroviq 46' / Muhamet Hyseni 55')
Arbnor Ramadani i Llapit - 91’ karton i kuq
FT: Malisheva 0:2 Ballkani
(Bajram Jashanica 31', Bernard Karrica 90’)
FT: Prishtina 1:2 Drita
(Drilon Islami 39' / Besnik Krasniqi [P] 27', Blerim Krasniqi 58')
FT: Feronikeli 4:1 Liria
(Granit Musa 15' Agron Bruqi 36', Ruben Tarasco 65’, Alban Shillova 77' / Aldi Gjumsi 88’)
FT: Fushë Kosova 1:2 Dukagjini
(Sinan Sinanoviq 59’/ Ebrima Jatta 12’, Bujar Shabani 18’)
