Sulmuesi Myrto Uzuni është transferuar në SHBA. Ai ka firmosur të premten mbrëma me skuadrën Austin që garon në MLS. Reprezentuesi i Shqipërisë është transferuar nga Granada spanjolle, ndërsa Austini ka njoftuar se Uzuni është blerje rekorde e klubit. Uzuni i ka kushtuar klubit amerikan plot 12,3 milionë dollarë.
Uzuni do ta mbajë fanellën me numrin 10, ndërsa ka firmosur për tri vjet, me mundësi të vazhdimit edhe për një vit tjetër.
“Një prej arsyeve kryesore që vendosa t’i bashkohem Austinit është ambicia e klubit që përshtatet me ambicien time për të pasur gjithnjë sukses”, ka thënë Uzuni. “Mund t’u them tifozëve të Austinit që do të bëj çdo gjë që të shënoj gola dhe të ndihmoj ekipin të arrijë objektivat. Po transferohem për të vendosur rekorde”, ka shtuar 29-vjeçari.
Uzuni ka kaluar tri vjetët e fundit te Granada që aktualisht luan në kategorinë e dytë spanjolle. I ka shënuar 49 gola dhe ka bërë tetë asistime në 106 ndeshje. Me Granadan luajti edhe në La Liga, ndërsa i shënoi 11 gola. Për Shqipërinë i ka pesë gola e shtatë asistime në 38 paraqitje.
Uzuni ka insistuar që të transferohet në SHBA, ndër të tjera duke mos u paraqitur në stërvitje të Granadas.
“Myrto e ka dëshmuar veten si golashënues në secilin ekip dhe secilën ligë ku ka luajtur”, ka thënë drejtori sportiv i Austinit, Rodolfo Borrel.
“Puna që bën gjatë ndeshjeve, aftësitë e përfundimit të aksioneve, ambiciet, përkushtimi dhe paraqitja në qendër të sulmit dhe në krahë do të jenë asete të rëndësishme. Jemi të entuziazmuar që do ta kemi në skuadër”.
Para Granadas, sulmuesi i Shqipërisë luajti për Ferencvaroshin në Hungari.
MLS-ja, ku do të luajë Uzuni, është niveli më i lartë i futbollit në SHBA.
Uzuni është nga Berati. Ka luajtur edhe për Tomorin, Apoloninë e Laçin në Shqipëri dhe Lokomotiva Zagrebin në Kroaci.
Austin FC është formuar në vitin 2018, ndërsa ka nisur të luajë ndeshje në MLS në edicionin 2021.