Vedat Muriqi është vetëm dy gola prapa Pierre Webos, si shënuesi më i mirë i golave me kokë në historinë e Mallorcas, në elitën e futbollit spanjoll.
Kamerunasi Webo i kishte shënuar 15 gola dhe e mban vendin e parë në këtë statistikë.
Por, sulmuesi i Kosovës këtë të diel e realizoi golin e 13-të me kokë, në fitoren ndaj Las Palmasit. Në fitoren 3:1, Muriqi e realizoi edhe një gol tjetër. Ai tani ka gjashtë gola e dy asistime në edicionin aktual të La Ligas.
“Pirati” tashmë e ka lënë prapa Victor Casadesusin, i cili i kishte 12 gola në total.
Webo ka luajtur për Mallorcan për katër edicione, nga viti 2007 deri në vitin 2011, ndërsa më pas ishte transferuar tek Istanbul Bashakshehiri.
Ai shquhej për gola të bukur me kokë, ndonëse ishte i gjatë vetëm 181 centimetra. “Kishte shkëputje spektakolare dhe ishte shumë dominues në ajër”, ka shkruar “OkDiario” të mërkurën.
Webo ka realizuar 27 gola gjatë kohës te Mallorca, ndërsa edicionin 2010/11, e kishte më të mirin me 11 gola në total.
Shtatlarti i “Dardanëve” shquhet për lojë të mirë në ajër po ashtu dhe këtë e ka dëshmuar qëkur iu bashkua Mallorcas në janar të vitit 2022.
Muriqi është i gjatë 194 centimetra dhe vazhdimisht shfaq rrezikshmëri për portat e kundërshtarëve.
“Muriqi ka kontratë deri në vitin 2027, dhe është e qartë se kosovari do ta kalojë Webon. Ai do të dështonte ta bënte këtë nëse nuk realizon më në këtë edicion dhe nëse largohet në verë”, ka vazhduar tutje mediumi spanjoll.
Muriqi, në fakt, ka shanse të mira për ta kaluar edhe sulmuesin Samuel Eto’o, si golashënuesi më i mirë i Mallorcas në elitën spanjolle, nëse qëndron deri në fund të kontratës te kjo skuadër.
Muriqi në intervistat e dhëna më herët për mediumet spanjolle, ka theksuar se një gjë e tillë është në planet e tij dhe se nuk po e mendon largimin.
“Jam shumë i kënaqur këtu dhe dua të pensionohem te Mallorca”, ka deklaruar Muriqi.