Kupa e Mbretit

Muriqi thotë se Bilbao është në presion

Vedat Muriqi - Real Mallorca

Foto: Associated Press

Sulmuesi i Mallorcas, Vedat Muriqi, ka thënë se Athletic Bilbao është në presion më të madh se skuadra e tij para finales së Kupës së Mbretit që zhvillohet të shtunën mbrëma.

Ndeshja Bilbao – Mallorca zhvillohet të shtunën nga ora 22:00, në stadiumin “La Cartuja” në Sevilla.

Duke mos e llogaritur trofeun e Superkupës, Bilbao nuk ka fituar trofe që nga viti 1984, kur kishte fituar ligën dhe Kupën.

Që nga ajo kohë, Bilbao është mposhtur në gjashtë finalet në të cilat ka luajtur.

Ndërkohë, Mallorca trofeun e vetëm, atë të Kupës së Mbretit, e ka fituar në vitin 2003.

“Ata kanë më shumë eksperiencë, por nuk kanë fituar në 40 vjet dhe janë favoritë. Por, kanë më shumë presion. Më shumë se ne”, ka thënë Muriqi për “Cadena SER”, shkruan “beinsports” të premten.

“Mund ta përdorim këtë si avantazh dhe nëse e nisim ndeshjen mirë, mund t’i kemi shanset tona. Të gjithë lojtarët ëndërrojnë të fitojnë në finale”, është shprehur Muriqi.

Bilbao është mposhtur në finale të Kupës së Mbretit në vitin 2020 dhe 2021 nga Real Sociedadi dhe Barcelona.

Më shumë se 82 mijë tifozë baskë pritet të udhëtojnë në Sevilla, por gjysma prej tyre janë pa bileta për ndeshjen të cilën mund ta përcjellin vetëm 60 mijë tifozë.

Athletic Bilbao ka 23 trofe të Kupës së Mbretit dhe zë vendin e dytë në këtë statistikë, pas Barcelonës që ka 31 trofe të fituar.