“Gjashtë pritje të jashtëzakonshme nga gjashtë portierë janë nominuar për pritjen e muajit prill dhe ju mund t’i ndihmoni ta fitojnë çmimin”, ka shkruar faqja zyrtare e Premier Leagues të enjten.
Në mesin e këtyre gjashtë portierëve është edhe ai i Kosovës, Arijanet Muriq.
Muriq kishte bërë gabime në dy ndeshje për të cilat u kritikua shumë, por portieri shtatlartë i Kosovës ka vazhduar paraqitjet e mira, duke dëshmuar se është shumë i rëndësishëm për Burnleyn në Premier League.
Premier League u ka bërë thirrje lexuesve që ta votojnë portierin e tyre të preferuar.
Muriq është në garë me Matz Selsin e Nottingham Forestit, Dean Hendersonin e Crystal Palaces, Lukasz Fabianskin e West Hamit, Alissonin e Liverpoolit dhe Andre Onanan e Manchester Unitedit.
Muriqit nga Premier League i është zgjedhur pritja që e kishte bërë në ndeshjen kundër Sheffield Unitedit, e zhvilluar më 20 prill.
Burnley e kishte fituar atë ballafaqim, 4:1.
Burnley është në garë për ta siguruar mbijetesën në Premier League.
Aktualisht zë pozitën e parafundit, me 24 pikë.
Nottingham Foresti ka 26 pikë dhe është në vendin e fundit që siguron qëndrimin në elitë edhe për një edicion tjetër.
Portieri i Kosovës edhe më herët ishte nominuar për ta fituar këtë çmim.