Futboll

Muriqi pritet të kthehet ndaj ekipit që i shënoi pesë gola

Vedat Muriqi

Sulmuesi i Kosovës, Vedat Muriqi, pritet të kthehet në fushë në ndeshjen që skuadra e Mallorcas e luan në fundjavë kundër Rayo Vallecanos, skuadër së cilës i ka shënuar pesë gola, shkruan “AS” të martën.
“Muriqi është përballur katër herë me skuadrën e Vallecanos dhe ka shënuar pesë gola. Në edicionin 2021/2022, Mallorca fitoi 2:1 dhe Muriqi shënoi një nga dy golat e fitores. Në sezonin 2022/2023 kosovari shënoi kundër Rayos në dy ndeshjet e ligës, në fitoren 2:0 dhe 3:0. Dhe sezonin e kaluar ai nuk ai shënoi dy gola në barazimin 2:2 ndaj Vallecanos”, shkruan “AS”.

Muriqi kishte debutuar pikërisht ndaj Vallecanos në Spanjë. Ishte ndeshja çerekfinale e “Copa del Rey”, ndërsa Mallorca humbi 1:0 me golin e Oscar Trejos nga penaltia që e dërgoi Vallecanon në gjysmëfinale.

Te Mallorca janë të bindur se Muriqi është rikuperuar plotësisht nga lëndimi dhe do të jetë në fushë prej minutës së parë të ndeshjes. 

Muriqi shkaku i dëmtimit të muskulit në stërvitje i ka munguar Mallorcas në tri ndeshjet e fundit kampionale dhe po ashtu nuk është grumbulluar me Kombëtaren e Kosovës për ndeshjet e këtij muaji ndaj Lituanisë dhe Qipros në Ligën e Kombeve.

30-vjeçari javën e shkuar i është bashkuar pjesës tjetër të ekipit në stërvitje dhe sipas të gjitha gjasave do t’i prijë sulmit të Mallorcas ndaj Vallecanos.

Ndeshja në mes të Mallorcas dhe Rayo Vallecano luhet të dielën prej orës 14:00 dhe i takon xhiros së dhjetë të elitës së futbollit spanjoll.

Muriqi, 30-vjeçar, në edicionin aktual ka realizuar një gol dhe ka kontribuar me një asistim në gjashtë ndeshje në La Liga. Mallorca zë vendin e shtatë në tabelë me 14 pikë të mbledhura.