Futboll

Muriqi me kritikë të fuqishme: I ke paratë, je mbreti, nëse jo, shko në Arabinë Saudite

Vedat Muriqi

Mallorca është në garë për kualifikim në kupat evropiane për edicionin e ardhshëm.

Pas 21 ndeshjeve të luajtura në La Liga ka 30 pikë.

Por sulmuesi i Kosovës, Vedat Muriqi, që në 18 ndeshje të luajtura me Mallorcan në të gjitha garat ka realizuar tri gola e dy asistime, nuk është i kënaqur plotësisht as me formën individuale dhe as me atë ekipore.

“Edicioni po shkon mirë, por e kemi nisur vitin 2025 keq. Duhet të fitojmë dhe të vazhdojmë aty ku e kemi lënë vitin e kaluar”, ka deklaruar Muriqi, që është prej lojtarëve më të pëlqyer nga tifozët e Mallorcas.

Muriqi është i qartë në objektivat e klubit.

“Objektivi jonë është ta shikojmë veten dhe të marrim sa më shumë pikë, e më pas të mendojmë për Evropë”, ka shtuar Muriqi për “Onda Cero”.

30-vjeçari ka folur edhe për punën me trajnerin Jagoba Arrasate. Shtatlarti i sulmit e ka përgëzuar punën të cilën ai e bën.

“Shumë gjëra kanë ndryshuar në krahasim me vitin e kaluar. Stërvitjet janë më intensive dhe loja ka ndryshuar shumë. Trajneri dëshiron të luajmë me topin, të kemi më shumë intensitet dhe të sulmojmë më shumë”, thotë ai.

Muriqi me Mallorcan në edicionin e kaluar ishte afër që të fitonte trofe, por humbi në finale të Kupës së Mbretit nga Athletic Bilbao, pas ekzekutimit të penalltive.

Muriqi ende e ka në mendje atë natë.

Ndërkohë, javë më parë, Muriqi me Mallorcan luajtën edhe në Superkupën e Spanjës. Por në gjysmëfinale të turneut u eliminuan nga Real Madridi, në ndeshjen që u përcoll me incidente.

“Vitin e kaluar nuk e kemi imagjinuar se do të arrinim në finale të Kupës. Isha i sigurt se do të fitojmë sepse e kisha ndjenjën se lojtarët e Athletic Bilbaos ishin shumë në presion. Në Arabinë Saudite familja ime nuk udhëtoi sepse e dija se organizimi nuk do të ishte edhe aq i mirë. Ne në Spanjë kemi stadiume më të mira, por futbolli ka ndryshuar shumë dhe paraja tani e luan rolin kryesor. Nëse i ke paratë, je mbreti, nëse jo, shko në Arabinë Saudite”, ka deklaruar sulmuesi i Kosovës, duke vazhduar me kritika të shumta.

Muriqi kritika ka pasur edhe për gjyqtarët, të cilët nuk po e lejojnë lojën e futbollit të ketë rrjedhshmëri.

“VAR-i duhet ta marrë parasysh se nuk mund ta shohësh futbollin në fotografi. Jemi duke lëvizuar nga futbolli normal”, ka deklaruar Muriqi.