Futboll

Muriqi i mungon Mallorcas në dy ndeshjet e ardhshme

Vedat Muriqi

Vedat Muriqi

Sulmuesi i Kosovës, Vedat Muriqi, e kërkoi zëvendësimin pas vetëm 37 minutave në ndeshjen e xhiros së kaluar të La Ligas, përkatësisht në disfatën që e pësoi Mallorca nga Celta Vigo me rezultatin 2:1.

Muriqi është duke u përballur me një lëndim muskulor kurse i mungoi Mallorcas edhe më 30 mars në ndeshjen ndaj Valencias.

“Comunio Magazine” ka raportuar të martën se Muriqi së bashku me Manu Morlanes dhe Takuma Asanon do t’i mungojnë Mallorcas në dy ndeshjet e ardhshme.

Mallorca në dy ndeshjet e ardhshme në La Liga do të përballet me Real Sociedadin dhe Leganesin.

30-vjeçari Muriqi është shumë i rëndësishëm për skuadrën e drejtuar nga trajneri Jagoba Arrasate.

Por kohën e fundit ish-sulmuesi i Lazios, Muriqi, ka shprehur pakënaqësi ndaj drejtuesve të klubit spanjoll për mos vazhdimin e kontratës.

Sulmuesi i Kosovës ka zhvilluar 26 ndeshje me Mallorcan këtë edicionin, në të gjitha garat. 30-vjeçari i ka shtatë gola e dy asistime.