Vedat Muriqi është kthyer furishëm nga lëndimi që e mbajti jashtë fushës prej 17 shtatorit.
Të dielën pasdite, Muriqi shënoi golin e fitores së Mallorcas ndaj Rayo Vallecanos. Ndeshja i takoi xhiros së dhjetë të La Ligas. Muriqi startoi te Mallorca, ndërsa në minutën e 75-të, pas një rivënie nga këndi, u shkëput lart dhe shënoi gol shumë të bukur me goditje me kokë. Mallorca fitoi 1:0 me golin e Muriqit, që la fushën në minutën e 84-t.
Pas ndeshjes prizrenasi tha se është i lumtur me fitoren, por u shfaq edhe vetëkritik.
“Jam shumë i lumtur që u ktheva pas lëndimit me gol dhe fituam para tifozëve tanë, është ndjenjë shumë e mirë. Kam punuar shumë për këtë. Kisha disa mundësi të cilat duhej t’i shfrytëzoja më herët dhe jo të prisja deri në momentet e fundit, por ky është futbolli. Duhet të punoj fort në javët e ardhshme për t’u përmirësuar”, ka thënë Muriqi.
Mallorca e fitoi ndeshjen e dytë rresht në shtëpi, ndërsa shënoi fitoren e katërtën në pesë ndeshjet e fundit. E ka edhe një humbje.
Muriqi ka munguar në tri ndeshje të Mallorcas e po ashtu në ndeshjet e Kosovës me Lituaninë dhe Qipron.
Tani i ka dy gola e një asistim në shtatë paraqitje në La Liga. Golin e kaluar në kampionatin spanjoll e kishte shënuar ndaj Real Madridit më 18 gusht. Më 9 shtator kishte shënuar dy gola për Kosovën ndaj Qipros.
Muriqi është shpallur më i miri i ndeshjes ndaj Rayo Vallecanos, ndaj të cilës skuadër shënon rregullisht gola. Sulmuesi kryesor i Kosovës e realizoi golin e gjashtë, në gjashtë paraqitje ndaj Rayo Vallecanos.
“Jam me fat që shënoj pothuajse në çdo ndeshje dhe më vjen keq për kundërshtarët, por kjo është puna ime”, është shprehur Muriqi.
Mallorca është në pozitë që dërgon në kualifikimet e Ligës së Konferencës. Por është ende muaji tetor dhe ka shumë ndeshje për t’u luajtur. Në maj të këtij viti, Muriqi ishte shumë afër që të fitonte trofe me skuadrën spanjolle, por humbi në finale të Kupës së Mbretit nga Athletic Bilbao, pas ekzekutimit të penalltive. Pikërisht ndaj Bilbaos, Mallorca luan në fundjavën e ardhshme, sërish para tifozëve të vet.
Muriqi më herët ka thënë se Mallorca edhe në këtë edicion e ka për synim që të shkojë deri në fund të garës në Kupë. Por të dielën nuk deshi të flasë për garat kontinentale.
“Ende është herët që të flasim për garat evropiane. Dua t’i falënderoj tifozët sepse janë të mrekullueshëm, pavarësisht a fitojmë apo humbim. E ndiejmë vazhdimisht përkrahjen e tyre”, theksoi Muriqi.
Shtatlarti i sulmit pati telashe muskulore dhe shkaku i atij lëndimi nuk u paraqit në duelet ndaj Real Betisit, Real Valladolidit dhe Espanyolit.
Megjithatë, ai është kthyer në formë dhe për këtë është i lumtur edhe trajneri Jagoba Arrasate.
“Pasimi i mirë i Danit, gjuajtja e Murit dhe pritjet e Martinit, ishin vendimtare sërish. Në fund, kur nuk mund të luash lojë të bukur, një top ‘i vdekur’ është aty për këtë arsye”, ka deklaruar Arrasate pas ndeshjes.