Futboll

Muriqi e kërkoi zëvendësimin, mund të ketë ripërtërirë lëndimin

Vedat Muriqi

Vedat Muriqi kishte shënuar “hat-trick” në fitoren 3:1 të Kosovës ndaj Islandës, në Murcia të Spanjës në ndeshjen kthyese të plejofit për Ligën B të Ligës së Kombeve. Ajo ndeshje ishte zhvilluar më 23 mars.  
Pas asaj ndeshjeje, Muriqi ishte kthyer i lënduar te skuadra e Mallorcas. 

Si rezultat i atij lëndimi, që është raportuar të jetë muskulor, Muriqi nuk luajti fare ndaj Valencias në humbjen 1:0. 

Kosovari ndërkohë ishte titullar për ndeshjen e zhvilluar të shtunën ndaj Celta Vigos, por ka kërkuar zëvendësim pas vetëm 37 minutave. Sa ishte Muriqi në fushë, Mallorca ishte duke fituar 1:0, por në fund u mposht 2:1. Ndeshja i ka takuar xhiros së 30-të të La Ligas. 

Ende nuk dihet për sa kohë mund të mungojë Muriqi. Trajneri Jagoba Arrasate pas ndeshjes ka deklaruar se sulmuesi e ka lëndimin e njëjtë që e kishte pas ndeshjeve me Kosovën. Do të bëhen teste tjera mjekësore, më të detajuara, për ta parë shkallën e lëndimit. 

“Muriqi kërkoi zëvendësim. Ai nuk mundi të luante në javën e kaluar dhe ndoshta është i lënduar në të njëjtin vend. Do të shohim se si është, por nuk e di nëse ai do të kthehet në javën që vjen”, ka deklaruar Arrasate. 

Sulmuesi i Kosovës ka zhvilluar 26 ndeshje me Mallorcan këtë edicionin, në të gjitha garat. 30-vjeçari i ka shtatë gola e dy asistime. 

Në xhiron e ardhshme të La Ligas, Mallorca luan në udhëtim te Real Sociedadi. 

Mallorca është në pozitën e dhjetë me 40 pikë.