Që kur Xherdan Shaqiri dhe Granit Xhaka kanë debutuar në ekipin përfaqësues, Zvicra vetëm një herë ka dështuar të kualifikohet në ngjarje të madhe. Zvicra mungoi në “Euro 2012” në Poloni dhe Ukrainë.
“Helvetikët” u kualifikuan deri në 1/8 e finales në tre Botërorët e fundit, ndërsa ishin çerekfinalistë të “Euro 2020”, ku u mposhtën nga Spanja në penallti.
Rol kyç në këto suksese të Zvicrës kanë luajtur dy futbollistët shqiptarë. Xhaka e Shaqiri vazhdojnë të jenë liderë të Zvicrës.
Liderë do të jenë edhe në Evropianin që nis më 14 qershor dhe përfundon më 14 korrik në Gjermani. Se pritjet nga Xhaka e Shaqiri janë të mëdha e tha të dielën për KOHËN përzgjedhësi i Zvicrës, Murat Yakin.
“Graniti dhe Xherdani janë dy lojtarë jashtëzakonisht të mirë, të cilët prej vitesh janë ndër lojtarët më të rëndësishëm në skuadrën tonë dhe unë të dy i vlerësoj jashtëzakonisht shumë lart. Që të dy mund të na ndihmojnë shumë në këtë fushatë”, ka thënë Yakin.
Yakin u është përgjigjur me shkrim disa pyetjeve të KOHËS. Ai ka insistuar se kontributi i Xhakës dhe ai i Shaqirit është i pakontestueshëm.
Xhaka e Shaqiri kanë mbi 200 paraqitje për Përfaqësuesen e Zvicrës së bashku.
Shaqiri ka vetëm dy ndeshje më pak të luajtura sesa Xhaka me fanellën e përfaqësueses.
Kapiteni dhe mesfushori qendror, Xhaka, në 123 ndeshje të luajtura me Zvicrën ka shënuar 14 gola. Shaqiri ka kontribuuar me 30 gola në 121 ndeshje. Nga tetori i vitit të kaluar Xhaka është rekordmen për ndeshje të luajtura me Zvicrën.
Shaqiri me përfaqësuese ka marrë pjesë në katër kampionate botërore dhe dy kampionate evropiane. Ka shënuar në çdo kampionat të madh që nga viti 2014. Pritjet janë të mëdha që futbollisti i Chicago Fire të japë sërish kontribut të madh. Po ashtu, pritet shumë edhe nga Xhaka që pati rol kyç në suksesin e Bayer Leverkusenit, që fitoi titullin e kampionit, Kupën e Gjermanisë, ndërsa në finale të Ligës së Evropës humbi nga Atalanta.
“Ne kemi një ekip me shumë lojtarë me përvojë, të cilët janë gjithashtu në formë të mirë në klubet e tyre. Granit Xhaka apo Manuel Akanji janë vetëm dy shembuj. Ne luajmë në një grup shumë të vështirë. Qëllimi ynë i parë është ta kalojmë këtë grup të vështirë, pastaj do të shohim më tej hap pas hapi”, është shprehur Yakin.
Xhaka e Shaqiri shihen si heronj sportivë, sidomos në Kosovë. Yakin pret që shqiptarët dhe kombet e tjera të përkrahin Zvicrën në Gjermani. Në Evropian do të paraqitet edhe Shqipëria, por Yakin pret përkrahje edhe nga shqiptarët.
“Sigurisht që ne shpresojmë në përkrahje të madhe. Ne jemi një skuadër me shumë lojtarë që përveç Zvicrës kanë prejardhje familjare nga një vend tjetër. Prandaj ka shumë kombe të tjera që po i mbajnë gishtat e kryqëzuar për ne. Është e mrekullueshme”, ka theksuar Yakin.
Zvicra është në Grupin A bashkë me nikoqiren, Gjermaninë, si dhe me Skocinë e Hungarinë.
Ndeshjen e parë Zvicra e ka ndaj Hungarisë më 15 qershor. Yakin thotë se synimi i Zvicrës është kalimi i grupit.
“Ne do të shikojmë nga ndeshja në ndeshje. Siç thashë, synimi ynë i parë është kualifikimi në raundin tjetër. Se kush do të jetë kundërshtari ynë atëherë nuk ka rëndësi. Në fund të fundit, ne duam të fitojmë kundër çdo kundërshtari”, ka thënë Yakin.
Shaqiri e Xhaka mund të mos jenë shqiptarët e vetëm që do të paraqiten në Evropian për Zvicrën.
Pos Xhakës e Shaqirit, Yakin në përgatitje për “Euro 2024” ka ftuar edhe Uran Bislimin, Andi Zeqirin, Ardon Jasharin e Albian Hajdarin. Ekipi final i Zvicrës do të caktohet më 7 qershor.