Futboll

Muja kthehet te Shqipëria, ftohen edhe Bajrami dhe Mersinaj

Perfaqesuesja e Shqiperise ne stervitje

Kapiteni Berat Gjimshiti, Keidi Bare, Rey Manaj dhe Marash Kumbulla nuk do të jenë pjesë e Shqipërisë për ndeshjet e këtij muaji, njoftoi Federata Shqiptare e Futbollit të hënën pasdite. 

Seleksionuesi i Shqipërisë, Sylvinho, tre mungesat i ka zëvendësuar me Arbnor Mujën, Adrian Bajramin dhe Jon Mersinajn. 

Shqipëria të hënën i ka nisur përgatitjet për ndeshjet kundër Çekisë dhe Ukrainës në Ligën e Kombeve. Muja së fundi ishte grumbulluar me Shqipërinë në nëntor të vitit të kaluar. Luajti një minutë kundër Moldavisë, ndërsa ishte në bankën e rezervistëve për ndeshjen ndaj Ishujve Faroe. Dy ndeshjet i takuan kualifikimeve për Evropianin “Gjermania 2024”. Sulmuesi i Samsunsporit, Muja, nuk u përfshi në listën përfundimtare të Shqipërisë për Euro 2024.

“Për shkak të këtyre katër mungesave trajneri Silvinjo ka vendosur të grumbullojë për dy ndeshjet e nëntorit Adrian Bajramin, Jon Mersinajn dhe Arbnor Mujën. Lojtarët pritet të bashkohen me kuqezinjtë gjatë të martës për të nisur stërvitjen”, shkruan në njoftimin e FSHF-së.

Në stërvitjen e parë morën pjesë Ylber Ramadani, Myrto Uzuni, Ivan Balliu, Kristjan Asllani, Ardian Ismajli, Arbër Hoxha, Mario Mitaj, Alen Sherri, Simon Simoni, Elseid Hysaj, Andi Hadroj, Thomas Strakosha dhe Feta Fetai. 

"Me grupin kuqezi u bashkuan dhe një pjesë të mirë të lojtarëve të Kombëtares U-21, që janë grumbulluar në kuadër të dy ndeshjeve miqësore me Moldavinë që luhen në Shqipëri në datat 15 dhe 18 nëntor. Departamenti i Komunikimit në FSHF bën me dije se Berat Gjimshiti, Keidi Bare dhe Marash Kumbulla nuk do të jenë pjesë e grupit për dy ndeshjet e nëntorit”, shkruan në njoftimin e FSHF-së.

“Gjimshiti u dëmtua në ndeshjen e fundit në kampionat ndaj Udineses, ndërsa Bare dhe Kumbulla ishin të dëmtuar dhe pas komunikimit të stafit mjekësor të Kombëtares me klubet përkatëse është vendosur që futbollistët të vazhdojnë rikuperimin”.

FSHF-ja njofton se Rey Manaj ka mbërritur të hënën në Shqipëri, ndërsa pas testeve mjekësore u konstatua se sulmuesi nuk mund të jetë i gatshëm për ndeshjet e këtij muaji. Manaj u rikthye në klubin e tij për të vazhduar rikuperimin.