Futbollisti i Chelseat, Mykhailo Mudryk, është pezulluar përkohësisht nga futbolli pasi ka rezultuar pozitiv në testin për doping.
Chelsea ka konfirmuar se Federata e Anglisë së fundmi ka kontaktuar Mudrykun për gjetjet në testin rutinë të urinës.
“Të dy, klubi dhe Mykhailo e përkrahin plotësisht programin testues të Federatës dhe të gjithë lojtarët tanë, përfshirë Mykhailon, testohen rregullisht. Mykhailo ka konfirmuar kategorikisht se kurrë nuk ka përdorur me vetëdije ndonjë substancë të ndaluar”, thuhet në reagim të Chelseat. “Mykhailo dhe klubi do të punojnë me autoritetet relevante për të gjetur çfarë ka mundur të nxjerrë këtë gjetje”.
Sipas burimeve të mediumit “Tribuna”, substanca e ndaluar është gjetur në mostrën A, që Mudryk e dorëzoi në fund të tetorit. Rezultatet e mostrës B priten në ditët në vijim.
Mudryk luan për Chelsean nga janari i vitit 2023. Këtë edicion i ka 15 paraqitje.
Nuk ka ende ndonjë njoftim zyrtar që Mudryk ka dështuar në testin për doping.