Trajneri Jose Mourinho ka thënë se Fenerbahçe ka qenë skuadër shumë më e mirë, pavarësisht se u eliminua nga Rangersi në Ligën e Evropës. Ai po ashtu beson se tri penalltitë që iu mohuan skuadrës turke ishin “të rastësishme” dhe jo për shkak të suspendimit të tij pas finales së vitit 2023.
Portugezi e kishte fyer gjyqtarin Anthony Taylor pasi skuadra e tij, Roma, kishte pësuar humbje nga Sevilla në penallti.
Kësaj radhe, ishte Rangersi që triumfoi ndaj Fenerbahçes që fitoi 2:0 në kohën e rregullt dhe në vazhdime, por më pas u mposht në ekzekutimin e penalltive 3:2 të enjten mbrëma. Nedim Bajrami luajti te Rangersi si zëvendësues, por nuk gjuajti penallti.
“Shpresoj që çdo gjë që më ka ndodhur në kupat evropiane nuk është si pasojë e finales së Budapestit dhe shpresoj se ishte e rastësishme. Që nga ajo finale, që nga suspendimi im, ka gjëra që na kanë ndodhur. Nuk kemi luajtur në finale të Ligës së Kampionëve për shkak të një penalltie të minutës së 120-të të cilin e pa vetëm gjyqtari i katërt. Vijmë këtu dhe VAR-i konsiderohet më i miri, por nuk u panë tri penallti. Shpresoj se është e rastësishme. Jam dënuar dhe shpresoj se ajo ka mbaruar. Po lutem që ky të jetë vetëm fat i keq”, ka thënë Mourinho pas ndeshjes.