Futboll

Motta largohet nga Bologna, pritet ta drejtojë Juventusin

Thiago Motta

Vetëm pak ditë pasi iu gëzua suksesit historik me kualifikim në Ligën e Kampionëve, trajneri Thiago Motta e ka informuar Bolognan se nuk do të jetë në krye të ekipit për garën elitare evropiane.

Bologna njoftoi të enjten se Motta ka vendosur të mos e rinovojë kontratën.

Kështu hapet rruga e 41-vjeçarit që me shumë gjasë do ta drejtojë Juventusin që aktualisht është pa trajner pas largimit të Massimiliano Allegrit.

“Klubi dëshiron ta falënderojë Mottan për punën e shkëlqyer gjatë kohës këtu dhe i uron atij më të mirën në karrierë”, ka shkruar Bologna ndër të tjera në komunikatën për media. 

Motta e mori drejtimin e Bolognas në shtator të vitit 2022 dhe përfundoi në vendin e nëntë.

Ndërkohë, në sezonin e tij të parë të plotë, shkoi përtej pritshmërive.

Bologna u kualifikua në Ligën e Kampionëve për herën e parë.

Aventura në edicionin 1964-65 përfundoi shpejtë, me eliminim në raundin preliminar.