Klubi i futbollit Vushtrria ka publikuar disa fotografi se si do të duket stadiumi i qytetit të Vushtrrisë pas përfundimit të punimeve.
Publikimin e fotografive klubi i Ligës së Parë e ka bërë pak orë pasi në sajtin e Qeverisë së Kosovës u bënë publike vendimet për realizimin e projekteve të reja, ndër to rinovimin dhe ndërtimin e stadiumeve të futbollit.
Rinovimi i stadiumit të qytetit është një prej katër projekteve kapitale të Qeverisë së Kosovës.
Krahas rinovimit të stadiumit të qytetit të Vushtrrisë, Qeveria e Kosovës në mbledhjen elektronike të mbajtur ka aprovuar edhe tri projekte të tjera që lidhen me sport, përkatësisht me futboll. Ka aprovuar edhe rinovimin e stadiumit “Përparim Thaçi” në Prizren, ndërtimin e stadiumit të qytetit në Pejë dhe Ferizaj.

“Sa u përket katër stadiumeve, projektet zbatuese për ndërtimin dhe rinovimin e tyre janë hartuar dhe me vendimin e sotëm na hapet rruga për hapjen e procedurave të prokurimit për zbatim të punimeve”, shkruan në përgjigjet e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) dhënë KOHËS të mërkurën.
Tutje është sqaruar se investimet në katër stadiumet e futbollit janë paraparë në planin 5-vjeçar të Qeverisë së vendit.
MKRS-ja zotohet se investimet në infrastrukturën sportive do të përfundojnë para organizimit të Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”.

“Këto investime janë të parapara në kuadër të planit tonë 5-vjeçar për konsolidimin e infrastrukturës së futbollit dhe përgatitjeve për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030. Me investimet që po bëhen në kuadër të planit tonë dhe dinamikës së punimeve, brenda dy vjetëve Kosova do t'i ketë të paktën katër stadiume të kategorive të larta, të gatshme për lojë”, shkruan në përgjigjen e dytë të MKRS-së.
Në fakt janë vetëm katër prej shumë projekteve që pretendohen të përfundojnë para organizimit të Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”.
Aktualisht është duke u punuar në stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë dhe disa stadiume, fusha e palestra të tjera.
MKRS-ja ka njoftuar po ashtu se planifikon investime për renovimin e sallës së madhe në Pallatin e Rinisë në Prishtinë dhe shumë objekteve të tjera sportive. Po ashtu është bërë e ditur se po planifikohet të ndërtohet edhe stadiumi nacional, ku do të mbahet ceremonia hapëse e Lojërave Mesdhetare të vitit 2030.
“Në vitin 2030, kur mbahen ‘Lojërat Mesdhetare’, pas përfundimit edhe të stadiumit nacional, Kosova do të ketë infrastrukturën më të mirë të futbollit në rajon”, shkruan në përgjigjen e MKRS-së.
Kosova përkatësisht Prishtina është organizatore e Lojërave Mesdhetare të vitit 2030. Qindra miliona euro pritet të investohen për të përmirësuar infrastrukturën sportive para se të mbahet kjo ngjarje shumësportëshe. Aktualisht infrastruktura është larg standardeve që kërkohen për këtë ngjarje.
Deri më tani ka pasur vërejtje të shumta lidhur me investimet e bëra në infrastrukturë sportive. Shumë punë janë kryer keq, pa mbikëqyrjen e duhur dhe, për më tepër, objektet sportive nuk janë mirëmbajtur.
Dhe kjo ka bërë që investimet milionëshe të shkojnë huq. Për shembull në Istog, ku palestra e re është bërë e pashfrytëzueshme dhe tani po rinovohet.
Është bërë “histori” edhe rinovimi i stadiumit në Gjilan e objekteve të tjera.
