Futboll

Mitaj e Kumbulla të motivuar për fitore në Çeki e Gjeorgji

Mario Mitaj dhe Marash Kumbulla

Mbrojtësit Mario Mitaj dhe Marash Kumbulla i kanë vlerësuar si kundërshtare shumë të vështira Çekinë dhe Gjeorgjinë. Të mërkurën në konferencën për shtyp ata kanë thënë se janë duke punuar mirë me selektorin Sylvinho dhe se janë shumë të motivuar për të marrë rezultate pozitive. 

Mitaj 21-vjeçar, që luan në pozitën e mbrojtësit të krahut të majtë, ndërroi ambient në fund të qershorit. Nga Lokomotiva e Moskës u huazua tek Al-Ittihadi. Ka zhvilluar dy ndeshje me skuadrën arabe, ndërsa vlerësohet si futbollist shumë i rëndësishëm për “kuqezinjtë”. 

Kundërshtarja e parë e Shqipërisë do të jetë Çekia. Ndeshja luhet të premten nga ora 20:45, ndërsa i takon Grupit B1 të Ligës së Kombeve. Ndaj Gjeorgjisë luan tri ditë më vonë. 

“Me Çekinë kemi luajtur vitin e kaluar dy herë. E dimë kundërshtarin dhe e dimë se çfarë duhet të bëjmë. Mbrojtja jonë është shumë e fortë, thuajse të gjithë lojtarët kanë shumë minuta me klubet e tyre. Kanë luajtur mirë dhe nuk besoj se do të kemi probleme në këtë aspekt”, ka thënë Mitaj. 

Mitaj tek Al-Ittihadi është bashkëlojtar me Karim Benzeman e N’Golo Kanten. Përvojën e fituar nga kampionati rus dhe tani me bashkëlojtarët e rinj, ai synon që ta shpreh edhe në fushë, në të gjitha ndeshjet. 

Shqipëria në ndeshjet e shtatorit e mposhti Ukrainën 2:1 në udhëtim, ndërsa humbi nga Gjeorgjia në shtëpi, 1:0. 

“Gjithmonë kur futemi në fushë, dëshira jonë është që të fitojmë. E nisëm mirë me fitore ndaj Ukrainës dhe pastaj humbëm. Nuk duhet që kjo humbje të ndikojë në psikologjinë tonë, por duhet të na ndihmojë që të rikthehemi te fitorja”, deklaroi Mitaj që ka 18 ndeshje me Shqipërinë. 

Në konferencën për shtyp të mërkurën krah Mitajt ishte Marash Kumbulla, qendërmbrojtësi i huazuar nga Roma tek Espanyoli në La Liga. 

Kumbulla 24-vjeçar ka 21 paraqitje me “kuqezinjtë”. Para grumbullimit me Shqipërinë, shënoi gol në La Liga ndaj Mallorcas.

“Ne do të futemi në fushë si gjithmonë për t’i fituar të dyja ndeshjet. Tani mendojmë vetëm për Çekinë. Është një ekip shumë fizik dhe i fortë në duele. Tani mendojmë vetëm për ata dhe të shohim më pas për Gjeorgjinë”, ka deklaruar Kumbulla. 

Kumbulla nuk luajti kundër Çekisë në kualifikimet e Evropianit 2024. Por, ai mezi pret që të përballet me lojtarët e kësaj përfaqësueseje. 

“Të dy ndeshjet i kam parë nga shtëpia. Siç e thashë edhe më parë, me Çekinë do të jetë ndeshje shumë e vështirë. Ne jemi shumë të motivuar, edhe ekipi kundërshtar gjithashtu. Presim ndeshje shumë të vështirë”, është shprehur Kumbulla që karrierë ka bërë edhe te Sassuolo e Verona. 

Shqipëria pas dy ndeshjeve zë vendin e dytë me tri pikë, aq sa kanë edhe çekët në pozitën e tretë. Gjeorgjia është e para me gjashtë pikë, ndërsa Ukraina e fundit pa pikë.