Skuadra e Milanit nuk do ta blejë kartonin e futbollistit portugez, Joao Felix, në fund të këtij edicioni, kanë raportuar të dielën mediume të ndryshme italiane.
Felix u huazua nga Chelsea te Milani në afatin kalimtar të janarit.
Por ai nuk i ka bindur drejtuesit e gjigantit italian dhe në verë do të kthehet te klubi londinez.
Milani e kishte mundësinë që ta blejë kartonin e Felixit, por portugezi nuk ka bindur me paraqitje.
Felixi filloi furishëm te “kuqezinjtë”. Ai madje debutoi edhe me gol në ndeshjen ndaj Romës në çerekfinale të Kupës së Italisë.
Por prej asaj ndeshjeje, Felix, nuk ka shënuar më gola.
Ai në dhjetë ndeshjet e zhvilluara deri më tani ka kontribuuar edhe me një asistim.
25-vjeçari Felix kohën e fundit ka ndërruar shumë skuadra.
Ai përveç Chelseat dhe Milanit ka luajtur edhe për Barcelonën, Atletico Madridin, Benfican, Padroensen dhe Porton.