Futboll

Shokohet Milani, eliminohet nga Feyenoordi

Shokohet Milani, eliminohet nga Feyenoordi

Ka përfunduar rrugëtimi i Milanit italian në edicionin 2024/2025 të Ligës së Kampionëve.

Shtatë herë kampioni i Evropës, Milani, u eliminua nga skuadra holandeze, Feyenoord, në plejofin e fazës nokaut të Championsit.

Feyenoordi e kishte fituar 1:0 ndeshjen e parë në Rotterdam, javën e kaluar. Ndërkohë ndeshja e kthimit, e zhvilluar të martën në “San Siro”, përfundoi 1:1. Kështu Feyenoordi me rezultatin e përgjithshëm 2:1 avancon në një të tetën e finales.

Ndeshja nisi si më mirë për kuqezinjtë. Që në minutën e parë për 1:0 realizoi Santiago Gimenez. Me rezultatin 1:0 përfundoi pjesa e parë.

Ndërkohë pjesa e dytë nisi si më keq për klubin e madh italian. Theo Hernandez, që u ndëshkua me kartonin e parë të verdhë në minutën e 44-t, e mori kartonin e dytë të verdhë në minutën e 51-të. Ai u ndëshkua për simulim dhe la skuadrën me dhjetë lojtarë në fushë.

Kjo doli të jetë e papërballueshme për Milanin.

Rezervisti Julian Carranza shënoi për 1:1 në minutën e 73-të. Ky gol ishte i mjaftueshëm për skuadrën holandeze që të bëj vend në mesin e 16 skuadrave më të mira evropiane.


Barazon Feyenoordi, Milani drejt eliminimit

Feyenoordi ka barazuar rezultatin në 1:1 në ndeshjen ndaj Milanit.

Julian Carranza shënoi në minutën e 73-të.

Milani prej minutës së 51-të po luan me një lojtar më pak në fushë. Pas kartonit të dytë të verdhë u përjashtua Theo Hernandez.

VIDEO:

 

 


Milani në epërsi pas pjesës së parë

Goli i Santiago Gimenezit që në sekondat e para i ka mjaftuar Milanit që ta mbyllë pjesën e parë me avantazh ndaj Feyenoordit.

Gimenez, ish-sulmues i Feyenoordit, realizoi që në nismë të ndeshjes së plejofit të Championsit.

Rossonerët po udhëheqin 1:0.

Ndeshjen e parë e fitoi Feyenoordi, 1:0.


Milani në epërsi që në minutën e parë

Milani ka kaluar në epërsi 1:0 që në minutën e parë të ndeshjes ndaj Feyenoordit.

Santiago Gimenez realizoi që në nismë të ndeshjes së plejofit të Championsit.

Ndeshjen e parë e fitoi Feyenoordi, 1:0.