Zëvendëspresidenti i nderit te Milani, Franco Baresi, ka thënë se “rossonerët” duhet ta “respektojnë” Feyenoordin, ndërsa ka thënë se është i lumtur që shmangën derbin italian ndaj Juventusit në fazën nokaut të Ligës së Kampionëve.
Edhe drejtori i Juventusit, Gianluca Pessotto, ka thënë se “bianconerët” janë të lumtur që nuk do të luajnë derbi italian në “Champions”.
“Po, është më mirë në këtë mënyrë, më mirë që u shmang derbi italian. Por ne në Ligën e Kampionëve do të kemi respekt maksimal për Feyenoordin sepse e dimë që në këtë garë, nuk duhet ta nënvlerësosh askënd”, ka thënë Baresi për “Milanneës” të premten.
Juventusi në Ligën e Kampionëve do të ketë po ashtu kundërshtar holandez, PSV Eindhovenin.
Juventusi e kishte mposhtur PSV-në 3:1 në muajin shtator, në ndeshjen e xhiros së parë.
“Ne do ta kuptojmë nëse është short i mirë vetëm pas ndeshjes kthyese. Shumë muaj kanë kaluar që prej përballjes në shtator dhe duhet të jemi në formë të mirë, me besimin se mund të bëjmë mirë dhe të përballemi me ta”, ka deklaruar Pesotto, drejtori i Juventusit.