Futboll

Merret vendimi për Tahir Batatinën

Tahir Batatina

Skuadra e Llapit, nuk do të drejtohet në dy ndeshjet e ardhshme nga trajneri, Tahir Batatina. Vendimi i Komisionit Disiplinor është publikuar të mërkurën nga Federata e Futbollit e Kosovës. Ndaj Batatinës ishte hapur procedurë disiplinore lidhur me veprimet e tij pas ndeshjes me Prishtinën. Llapi e humbi 3:2 ndeshjen dramatike ndaj Prishtinës, ndërsa Batatina ishte i pakënaqur me punën e arbitrit Genc Nuza. 

Në arsyetimin e vendimit të KD të FFK-së konfirmohet se “pas përfundimit të ndeshjes, Tahir Batatina është vërsulur disa herë në drejtim të gjyqtarit kryesor dhe të kolegëve të tij në mesin e fushës, duke përdorur gjuhë vulgare, ofenduese dhe kërcënuese. Pastaj duke shkuar në drejtim të bankinës bie në provokimin e shikuesve të cilëve ua tregon gishtin e mesit, i fyen shikuesit e pranishëm duke provokuar një eskalim të mundshëm të masës. Për këto sjellje josportive dhe vulgare ndëshkohet direkt me karton të kuq”, shkruan në vendimin e Komisionit të Garave të FFK-së, të publikuar të martën pasdite”.

Po ashtu në arsyetim përshkruhet se, Batatina ka tentuar të realizojë sulm fizik ndaj Nuzës edhe pasi u ndëshkua me karton të kuq. Madje një përpjekje të tillë e bëri edhe pas largimit nga fusha.

“I njëjti pas ndëshkimit ka tentuar ta sulmojë fizikisht gjyqtarin kryesor por falë intervenimit të policisë është evituar sulmi. Po ashtu edhe në tunelin e stadiumit dukshëm i frustruar ka tentuar ta sulmojë fizikisht gjyqtarin por sërish është penguar nga policia”, shkruan tutje në vendim.
Batatina është dënuar po ashtu edhe me 500 euro.