Mediumi rumun “Golazo.ro” e ka falënderuar Kosovën për ngjarjet që kanë ndodhur të premten mbrëma në Bukuresht, në ndeshjen e Ligës së Kombeve ndaj Rumanisë.
Ballafaqimi ishte ndërprerë kur rezultati ishte baras, 0:0.
Futbollistët e Kosovës u tërhoqën nga fusha për shkak të thirrjeve “Serbia, Serbia”, dhe nuk u kthyen në fushën e lojës.
Pas vendimeve të UEFA-s të mërkurën, fitorja i ka takuar Rumanisë me rezultat zyrtar, 3:0.
Rumania është gjobitur po ashtu me 128 mijë euro, kurse Kosova me 6 mijë euro.
Por fitorja me rezultat zyrtar ka bërë që rumunët të jenë përfaqësuesja më e mirë nga të gjithat përfaqësueset që i fituan grupet në Ligën C.
Rumania dhe Kosova garuan në Grupin C2.
“Nëse Rumania – Kosova do të përfundonte 0:0, ‘trikolorët’ nuk do të ishin më të mirët në krahasim me përfaqësueset e tjera që i kanë fituar grupet në Ligën C. Suedia do të na kalonte me goldallim dhe do të kishim shanse më të vogla për ta arritur Kupën e Botës. Pas vendimit të UEFA-s, Rumania bëhet e vetmja përfaqësuese në gjithë Ligën e Kombeve që e mbyll garën me maksimumin e pikëve”, ka shkruar “Golazo.ro”.
Nëse Rumania – Kosova do të përfundonte baras, pa gola, Rumania do ta mbyllte grupin me 16 pikë, ndërsa Suedia do të ishte më e suksesshmja.
Edhe suedezet do t’i kishin 16 pikë, por do të kishin goldallim më të mirë.
Suedia ka garuar në Grupin C1.