Napoli e ka indentifikuar Edon Zhegrovën e Lillet si futbollistin kryesor në listë për zëvendësimin e Khvicha Kvaratskhelias, pasi gjeorgjiani u transferua te Paris Saint-Germaini në muajin janar.
Kështu ka shkruar mediumi italian “Corriere dello Sport” të shtunën.
Gjiganti i Serie A edhe më herët ka shprehur interesim për sulmuesin e Kosovës, por Lille nuk deshi ta linte të lirë 25-vjeçarin në mesin e sezonit.
Trajneri Antonio Conte po ashtu mund të luajë rol në transferimin e sulmuesit të krahut, ndërsa drejtori sportiv i klubit, Giovanni Manna, është duke punuar në finalizimin e marrëveshjes.
Lille shpreson që të përfitojë nga shitja e Zhegrovës prej 20 deri në 25 milionë euro.
Kontrata e Zhegrovës, që në edicionin aktual ka kontribuuar me tetë gola e dy asistime në 21 ndeshje, skadon në vitin 2026.
Zhegrova shkaku i lëndimit nuk ka luajtur për Lillen prej mesit të muajit dhjetor, ndërsa pritet të kthehet në fundin e këtij muaji.