Futboll

Me Mbappen në përbërje, Madridi do të jetë edhe më i fortë në rrugëtimin drejt trofeut të 16-të

Kylian Mbappe

Real Madridi vetëm sa kishte nisur festën për trofeun e 15-të evropian, kur drejtues të klubit nisën të përmendin trofeun e 16-të.

Mbretërit e Evropës nuk e kanë ndërmend të ndalin gjahun për lavdi kontinentale më të mirët pritet të jenë edhe më të mirë nga edicioni i ardhshëm.

“Në këtë klub ka kërkesa të vazhdueshme. Nuk është asnjëherë e mjaftueshme”, ka thënë trajneri Carlo Ancelotti pas fitores 2:0 ndaj Borussia Dortmundit në finale të Ligës së Kampionëve.

 Triumfi i fundit i Madridit erdhi pa një sulmues të njohur në përbërje. Karim Benzema, që udhëhoqi sulmin madrilen për shumë vjet, u largua vitin e kaluar. Zbrazëtia u plotësua me mesfushorin Jude Bellingham, por nga edicioni i ardhshëm Ancelotti do të ketë më shumë forcë sulmuese. Talenti më i madh brazilian, Endrick, është rrugës për në Madrid. Por Kylian Mbappe është lojtari më i kërkuar nga tifozët madrilenë. Ka rreth një dekadë që Mbappe synohet nga Madridi. Bëhet fjalë për superyllin që shumë besojnë se do të jetë pasardhësi i Lionel Messit dhe Cristiano Ronaldos si lojtari më i mirë në botë.

Mbappe largohet nga PSG-ja, ndërsa të dielën është raportuar se marrëveshja me Real Madridin tashmë është firmosur. Ajo pritet të bëhet zyrtare javën e ardhshme. Mbappe do të jetë ylli i madh i radhës që i bashkohet Madridit.

“Do të jetë e mahnitshme të kemi një lojtar si ai, nëse lëvizja realizohet”, ka thënë Jude Bellingham të shtunën.

Fituesi i Kupës së botës, Mbappe, ka aftësi individuale dhe aftësi të fitimit të ndeshjeve që mund të krahasohen me më të mëdhenjtë në histori. Ai është i bekuar me shpejtësi, balancë, forcë dhe goditje të mahnitshme. Ai është po ashtu golashënues i spikatur në nivelin më të lartë të futbollit. Bashkë me Erling Haalandin dhe Harry Kanen vlerësohet sulmuesi më i mirë evropian momentalisht.

“Na mungon shumë pak gjë sa i takon pozitës së numrit nëntë. Dhe nëse Mbappe vjen dhe na ofron atë, atëherë do të jemi në pozitë shumë, shumë të mirë. Ai do të na dërgoi në nivel tjetër”, ka shtuar Bellingham.

Me Mbappen dhe Endrickun në përbërje, Real Madridi do të ketë forcë sulmuese të jashtëzakonshme dhe opsione si askush tjetër. Vinicius Junior tashmë është prej sulmuesve më të mirë në botë dhe këtë e dëshmoi edhe në finalen e së shtunës në “Wembley”.

Një moment brilant i Viniciusit solli kornerin pas të cilit u realizua goli i parë. Braziliani më pas shënoi golin e dytë. Asistues për Viniciusin ishte Bellingham, lojtari i vitit në La Liga në edicionin e parë të tij në Madrid.

Pra lojtarë shumë cilësorë do të jenë në dispozicion të Ancelottit. Ai është më meritori që skuadra e përballoi pa shumë telashe largimin e emrave të mëdhenj si Ronaldo, Gareth Bale e Benzema.

“Ishte e komplikuar të mendohej se për tri vjet do të fitonim dy trofe të Ligës së Kampionëve dhe dy tituj të La Ligas me ekipin që po ndryshonte ngadalë”, ka thënë Ancelotti.

Dominimi i  Madridit në Evropë vazhdon kur forca e Manchester Cityt sa shkon e rritet. Pep Guardiola udhëhoqi Cityn drejt trofeut të parë në Champions vitin e kaluar. U mendua si fillimi i një periudhe dominimi për Manchester Cityn. Por në vend të kësaj, Madridi fitoi trofeun e radhës.

Gara mes dy klubeve, por edhe e pak klubeve të tjera do të vazhdojë. Por është e qartë se Madridi do të jetë konkurrent i fuqishëm.