Superylli i Real Madridit nuk është ftuar edhe për ndeshjet e nëntorit nga përzgjedhësi i Francës, Didier Deschamps. Mbappe, i cili mungoi edhe në tetor, nuk është thirrur as për ndeshjet e këtij muaji. Franca më 14 nëntor luan kundër Izraelit, ndërsa më 17 nëntor ndaj Italisë. Te Franca janë rikthyer Adrien Rabiot, N’Golo Kante si dhe Dayot Upamecano. Për herë të parë është ftuar portieri i Lillet, Lucas Chevalier.
Por lënia jashtë e kapitenit të Francës ka ngjallur reagime të shumta në Francë.
Përzgjedhësi Deschamps ka thënë se merr përgjegjësinë për të mos e ftuar sulmuesin e Real Madridit.
“Kam biseduar me të dhe kam marrë këtë vendim për këtë grumbullim, sepse mendoj se është më mirë kështu”, ka thënë Deschamps në konferencën për medie, pasi zbuloi emrat e 23 lojtarëve për ndeshjet e këtij muaji në Ligën e Kombeve.
Deschamps ka insistuar se lënia jashtë listës e Francës, nuk ka të bëjë me rastin e tij të hapur për përdhunim.
“Unë nuk dua të debatoj. Unë mund t’ju them dy gjëra. E para është që Kylian Mbappe donte të vinte. E dyta është se nuk lidhet me situatën e tij, pasi pafajësia ekziston dhe duhet të ekzistojë. Është vendimi im, sepse mendoj se është më mirë kështu. Nuk dua t’ju them më shumë, unë marr përgjegjësinë për këtë vendim”, ka theksuar Deschamps.
Kylian Mbappe muajin e kaluar u raportua në polici si i dyshuar për përdhunim në një hotel në qendër të Stokholmit. Sipas medieve në Suedi, paditësja, një grua, ka kërkuar mjekim dhe ka veçuar yllin francez të futbollit si autor.
Lojtari i Real Madridit, Kylian Mbappe bëri një vizitë të shkurtër në Suedi muajin e kaluar. Pas dy ditësh qëndrimi në Stokholm, ai u largua me një avion privat.
Policia përpiloi një kallëzim përdhunimi dhe Kylian Mbappe ishte i dyshuar në mënyrë të arsyeshme, shkalla më e ulët e dyshimit.
Mbappe i pati cilësuar si të rreme lajmet e medieve në Suedi.