Kylian Mbappe do të jetë njëri prej emrave më të mëdhenj në La Liga për edicionin e ardhshëm, pasi më në fund u zyrtarizua si futbollist i Real Madridit.
Por, ai nuk do të jetë në krye të listës së lojtarëve më të paguar në elitën spanjolle.
Kapiteni i Francës u prezantua në stadiumin e stërmbushur në “Bernabeu”.
U transferua nga Paris Saint-Germaini si futbollist i lirë.
Ai i kreu testet mjekësore të martën pas përfundimit të “Euro 2024”. Me Francën shkoi deri në gjysmëfinale të Evropianit, por u eliminua nga Spanja, 2:1.
Sipas “The Sun”, Mbappe do të jetë futbollisti me më së shumti përfitime në klub, por jo edhe në gjithë ligën.
Sipas këtij mediumi, mesfushori i Barcelonës, Frenkie de Jong, për të cilin u fol se mund t’i bashkohet Manchester Unitedit, merr pagë vjetore prej afro 38 milionë eurove.
I dyti në këtë listë është Robert Lewandowski, futbollisti tjetër i Barcelonës, që raportohet se përfiton afro 34 milionë euro në sezon.
Dhe i treti në listë është raportuar se është Mbappe, me pagë vjetore prej afro 32 milionë eurove.