Trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, mund të llogarisë në shërbimet e mbrojtësit, Inigo Martinez, për duelin ndaj Borussia Dortmundit.
Barça të mërkurën nga ora 21:00 e pret Dortmundin në ndeshjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve. Ndeshja e kthimit luhet më 15 prill.
Martinez i mungoi Barçës, për shkak të një lëndimi të lehtë muskulor, në xhiron e kaluar në La Liga ndaj Real Betisit.
“Mundo Deportivo” ka raportuar se spanjolli Martinez e kompletoi stërvitjen e së martës dhe do të jetë i gatshëm për ndeshje.
Barçës për shkak të lëndimeve do t’i mungojnë Dani Olmo, Marc Bernal, Marc Casado dhe Marc-Andre ter Stegen.
Martinez është shumë i rëndësishëm për Barçën këtë edicion.
33-vjeçari në 37 ndeshjet e zhvilluara ka realizuar tre gola dhe ka bërë pesë asistime.