Ligue 1

Marseille dhe PSG-ja zhvillojnë derbin në Francë

Kylian Mbappe - PSG

Marseille dhe Paris Saint-Germaini do të luajnë në kuadër të xhiros së 27-të në elitën e futbollit francez, në ndeshjen që vlerësohet si më e zjarrta në Francë. 

Ky ballafaqim luhet të dielën në orën 20:45. 

PSG-ja është në vendin e parë me 59 pikë, 12-të më shumë se Bresti i vendit të dytë. 

Kylian Mbappe do të luajë për herë të fundit në derbin me rivalitet të madh në Francë, pasi në fund të edicionit pritet të largohet nga skuadra drejt Real Madridit. 

Në Francë kanë mbetur edhe tetë ndeshje për t’u luajtur, ndërsa Mbappe është afër që ta fitojë titullin e gjashtë në shtatë edicione në kampionatin francez. 

Marseille është në vendin e shtatë me 39 pikë, jo shumë larg vendeve që dërgojnë në garat evropiane. 

Mbappe vazhdon të mbetet lojtari kryesor i parisienëve dhe më i rrezikshmi. 

Pas “hat-trickut” të realizuar në fitoren 6:2 ndaj Montpellierit para dy javësh, Mbappe shkoi në kuotën e 38 golave në 37 paraqitje për PSG-në në edicionin aktual. 

PSG-ja është në garë edhe për Kupë të Francës. Në gjysmëfinale luan kundër Rennesit. 

Ndërkohë, në çerekfinale të Ligës së Kampionëve, PSG-ja do të ballafaqohet me Barcelonën.