Trajneri i Chelseat, Enzo Maresca, beson se Jadon Sancho do të jetë ndihmesë e madhe për skuadrën në repartin ofensiv. Të hënën Maresca ka thënë se Sancho është futbollist shumë i mirë në situatat një kundër një.
“Jam shumë i lumtur që e kemi Sanchon në Chelsea. Ai është këtu sepse ne e pëlqejmë atë lloj lojtari, që mund të ndihmojë në situatat një kundër një. Ne kemi nevojë për të”, ka thënë Maresca.
Sancho është huazuar për një vit te skuadra e Chelseat nga Manchester Unitedi.
Chelsea e ka edhe opsionin e blerjes së 24-vjeçarit. Në edicionin e kaluar, anglezi ishte pjesë e Borussia Dortmundit, si i huazuar.
Në 22 ndeshje të zhvilluara në të gjitha garat ka shënuar tri gola dhe ka bërë tri asistime.
Reali do t’i ofrojë kontratë të re Carvajalit
Skuadra e Real Madridit do t’i ofrojë vazhdimin e kontratës mbrojtësit spanjoll, Dani Carvajal. Të hënën, eksperti i transferimeve, Fabrizio Romano, ka njoftuar se drejtuesit e “Los Blancos” dhe menaxherët e Carvajalit kanë filluar negociatat për rinovimin e kontratës. Trajneri Carlo Ancelotti është i kënaqur me paraqitjet e spanjollit dhe dëshiron që ta ketë pjesë të projektit të tij edhe për edicionin tjetër në La Liga. 32-vjeçari me Realin ka kontratë deri në qershor të vitit të ardhshëm. Pjesë e Realit është nga viti 2013. Ai ka 421 paraqitje me fanellën e gjigantit spanjoll. Ka realizuar 13 gola dhe ka bërë 64 asistime. Me Realin ka fituar 26 trofe.