Maqedonia e Veriut e ka përfunduar me fitore edicionin e katërt të Ligës së Kombeve të UEFA-s. Dhe me sukses historik po ashtu.
Për herë të parë përfaqësuesja e Maqedonisë së Veriut, që për kapiten e ka Enis Bardhin, është promovuar në Ligën B të Ligës së Kombeve, që është niveli i dytë. Maqedonia e Veriut e ka fituar Grupin 4 të Ligës C, ku garuan edhe Armenia, Ishujt Faroe dhe Letonia.
Të dielën pasdite në Shkup, Maqedonia e Veriut fitoi 1:0 ndaj Ishujve Faroe, në kuadër të xhiros së gjashtë. Golin e shënoi Bojan Miovski në minutën e 62-të.
Kapiteni Bardhi luajti në mesfushë deri në minutën e 93-të dhe u ndëshkua me karton të verdhë. Ezgjan Alioski e kompletoi ndeshjen dhe po ashtu u ndëshkua me karton të verdhë, njëjtë si Isnik Alimi. Lirim Qamili luajti prej minutës së 54-t, kurse në stol mbetën Sefer Emini e Behar Feta.
Maqedonia e Veriut e fitoi Grupin C4 me plot 16 pikë. I shënoi pesë fitore, ndërsa e kishte një barazim. Humbje nuk pësoi.
Barazoi 1:1 me Ishujt Faroe në ndeshjen e parë, më 7 shtator në Torshavn. Më pas rreshtoi pesë fitore: 2:0 në shtëpi ndaj Armenisë, 3:0 në udhëtim ndaj Letonisë, 2:0 në udhëtim ndaj Armenisë, 1:0 në shtëpi ndaj Letonisë dhe 1:0 në shtëpi, përkatësisht në Shkup, të dielën ndaj Ishujve Faroe.
Shqiptarët ishin shumë të rëndësishëm në këtë sukses të Maqedonisë së Veriut.
Në edicionin e parë të Ligës së Kombeve, 2018/19, Maqedonia e Veriut ishte në Ligën D. E fitoi grupin e më pas përmes plejofit u kualifikua në Evropianin e vitit 2020. Në gjysmëfinale të plejofit kishte eliminuar Kosovën, në kohën e pandemisë.
Më pas për tri edicione, Maqedonia e Veriut luajti në Ligën C. Në edicionin e pestë do të jetë në Ligën B, sukses të cilin nuk e ka arritur Kosova.
Të dielën, Armenia fitoi 2:1 ndaj Letonisë. Armenia përfundoi e dyta me 7 pikë, Ishujt Faroe në vendin e tretë me gjashtë pikë, kurse Letonia mbeti e fundit me një pikë.