Manchester Unitedi e ka zyrtarizuar të shtunën transferimin e tinejxherit të talentuar të Arsenalit, Ayden Heaven.
Mbrojtësi 18-vjeçar ka nënshkruar kontratë për katër vjet e gjysmë.
“Djajtë e kuq” kanë thënë se futbollisti që luan për grupmoshën U19 të Anglisë do t’i bashkohet menjëherë ekipit të parë, ndërsa nuk është bërë i ditur çmimi i transferimit.
Heaven iu bashkua Arsenalit si 13-vjeçar në vitin 2019 dhe debutoi për ekipin senior si zëvendësues në fitoren ndaj Prestonit në Kupën EFL në muajin tetor.
“Jam shumë krenar që i jam bashkuar Manchester Unitedit. U jam mirënjohës të gjithëve që ma kanë bërë ëndrrën realitet”, ka thënë ai.
Në muajin tetor, Unitedi nga Arsenali e transferoi edhe sulmuesin 17-vjeçar Chido Obi-Martin.
“BBC” ka shkruar se mbrojtësi i krahut të majtë i Lecces, Patrick Dorgu, është shumë afër që të zyrtarizohet si transferim i radhës.
Danezi nuk luajti për Leccen në Serie A në fitoren ndaj Parmas të premten mbrëma.