Futboll

Malisheva shokon kampionin

Malisheva fiton ndaj Ballkanit

Malisheva e ka shokuar kampionin e tri edicioneve të fundit në Kosovë, Ballkanin.

Të dielën në stadiumin “Liman Gegaj”, Malisheva fitoi 3:2 ndaj suharekasve, ndonëse tërë pjesën e dytë e zhvilloi me një futbollist më pak në fushë.

Ky ballafaqim i takoi xhiros së katërt të Superligës së Kosovës në futboll.

Arbër Prekazi e hapi serinë e golave në Malishevë në minutën e 16-të.

Shifrat për Ballkanin i barazoi sulmuesi Sunday Adetunji në minutën e 28-të.

Por në minutën e parë të shtesës në pjesën e parë, Malisheva mbeti me një futbollist më pak në fushë.

Mesfushori Etnik Brruti u përjashtua nga loja pasi mori kartonin e dytë të verdhë.

Por skuadra e udhëhequr nga trajneri Bekim Isufi, befasoi në pjesën e dytë.

Kaloi në epërsi 2:1, me golin e Drilon Hazrollajt në minutën e 61-të.

Fatjon Bunjaku më pas në minutën e 73-të shënoi për 3:1.

Queven Inacios që asistoi në golin e parë, shënoi vetë për 3:2 për suharekasit në minutën e parë të kohës shtesë.

Por, Ballkani i trajnerit Ilir Daja nuk e pati forcën që të kthehej më në lojë, dhe pësoi disfatë për herën e parë në edicionin aktual.

Ballkani i ka edhe dy fitore, ndaj Dukagjinit dhe Feronikelit 74, kurse barazoi me Gjilanin.

Me shtatë pikë, bashkë me Prishtinën, Suharekën dhe Malishevën, janë në krye të tabelës.

Suharekasit e kanë një ndeshje më shumë të luajtur.

Në xhiron e pestë, Malisheva luan në udhëtim te Dukagjini, ndërsa Ballkani e pret Prishtinën.


Ballkani ngushton rezultatin

Ballkani ka shënuar golin e dytë në ndeshjen ndaj Malishevës.

Queven shënoi për 3:2 në minutën e 91-të.


Malisheva shënon edhe golin e tretë ndaj Ballkanit

Malisheva e ka shënuar edhe golin e tretë në ndeshjen ndaj kampionit të Kosovës, Ballkanit.

Fatjon Bunjaku shënoi gol nga afërsia në minutën e 73-të.

Malisheva po fiton 3:1 në stadiumin “Liman Gegaj”.


Malisheva shokon Ballkanin

Malisheva ka kaluar në epërsi 2:1 ndaj Ballkanit, ndonëse ka një lojtar më pak në fushë. Drilon Hazrollaj shënoi golin në minutën e 61-të.

Karton i kuq edhe në Malishevë

Skuadra e Malishevës ka mbetur pa mesfushorin Etnik Brruti, i cili brenda pak minutash mori dy kartonë të verdhë.

Brruti u përjashtua nga loja në minutën e parë shtesë të pjesës së parë.

Malisheva gjithë pjesën e dytë ndaj Ballkanit duhet ta zhvillojë me 10 lojtarë.

Me rezultatin 1:1 skuadrat kanë shkuar në pushim.


Ballkani kthehet në lojë

Ballkani është kthyer në lojë me golin e sulmuesit Sunday Adetunji.

Adetunji në minutën e 28-të shënoi me kokë nga afërsia, pas asistimit të Queven Inacios.


Prekazi kalon Malishevën në epërsi

Arbër Prekazi ka shënuar gol për Malishevën që po avancon ndaj Ballkanit me rezultatin 1:0.

Prekazi shënoi me kokë nga afërsia, në ndeshjen e xhiros së katërt të elitës së futbollit të Kosovës.

Ndeshja po luhet në stadiumin “Liman Gegaj” në Malishevë.