Futboll

Malisheva – Llapi, kryendeshja e çerekfinales së Kupës

Malisheva mposht Ferizajn

Të mërkurën e të enjten zhvillohen ndeshjet çerekfinale të Kupës së Kosovës në futboll. Gara për Kupë është rrugë më e shkurtër për te trofeu e po ashtu për te garat evropiane.

Të mërkurën prej orës 13:00 janë dy ndeshje, ndërsa të enjten zhvillohen dy ndeshje të tjera. Gjithë vëmendja do të jetë në stadiumin “Liman Gegaj”, ku të mërkurën takohen Malisheva e Llapi.

Të dy skuadrat synojnë Kupën, por vetëm njëra prej tyre do të vazhdojë në gjysmëfinale. Llapi ka mbetur shumë prapa në Superligë dhe gjithë fokusin e ka te suksesi në Kupë, pos që të sigurojë mbijetesën. Por Malisheva pret të përfitojë nga fakti që ndeshjen e zhvillon para tifozëve të saj.

Malisheva është e treta në Superligë me 34 pikë. Llapi renditet i parafundit me vetëm 22 pikë nga 21 ndeshje. Të mërkurën është edhe ndeshja mes Drenicës dhe Ferizajt.

Drenica garon në Ligën e Parë, ndërsa Ferizaj në Superligë.

Të enjten janë takimet Prishtina e Re – Drita dhe Vëllaznimi – Prishtina. Skuadrat e Superligës, Drita e Prishtina, vlerësohen favorite.