(18:05) - Pas barazimit me Gjilanin dhe fitores ndaj Feronikelit 74, Llapi e ka pësuar disfatën e parë në nisje të edicionit të ri të Superligës së Kosovës në futboll.
Llapi të shtunën gjatë ditës u mposht nga Malisheva në stadiumin “Zahir Pajaziti”, me rezultatin 1:0.
Ndeshja i ka takuar xhiros së tretë.
Raste patën të dyja skuadrat përgjatë 90 minutave, por sfidën e vendosi goli i Fatjon Bunjakut në minutën e 55-të.
Bunjaku shënoi në portën e zbrazët, pas asistimit të Arbër Pirës.
Malisheva gjithë pjesën e dytë e luajti me një futbollist më pak në fushë pas përjashtimit të Robert Matheiu Ndiji, që u ndëshkua me të kuq pas rishikimit të situatës në VAR.
Në minutën e 86-të, Drilon Hazrollaj i Malishevës e pati mundësinë e artë për ta dyfishuar rezultatin, por i vetëm përballë portierit Ilir Avdyli, gjuajti jashtë.
Hazrollaj ishte realizator i 25 golave në edicionin e kaluar.
Për Llapin e drejtuar nga Tahir Batatina, në minutën e 88-të rrezikoi sulmuesi Ahmed Januzi.
Gjuajtja e tij shkoi ngjitur me shtyllën pingule. Malisheva ndeshjen e parë nuk e zhvilloi ndaj Dritës.
Ky ballafaqim është vendosur të luhet në ndonjë datë tjetër, pas angazhimit të gjilanasve në skenën ndërkombëtare.
Ndërkohë në xhiron e dytë, Malisheva e drejtuar nga Bekim Isufi, barazoi me Ferizajn.
Në xhiron e katërt, Llapi udhëton te Prishtina, kurse Malisheva e pret Ballkanin.
(17:24) - Malisheva në epërsi ndaj Llapit
Malisheva e ka befasuar Llapin në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë.
Malishevasit janë duke fituar me rezultatin 1:0.
Golin e epërsisë së mysafirëve e shënoi sulmuesi Fatjon Bunjaku në minutën e 55-të, me asistim të Arbër Pirës.
Ndeshja i takon xhiros së tretë të Superligës së Kosovës.
Malisheva e mbyll pjesën e parë me një futbollist më pak në fushë
Skuadra e Llapit dhe Malisheva e kanë mbyllur pjesën e parë pa gola.
Në minutën e dytë shtesë të pjesës së parë, Malisheva mbeti me një futbollist më pak në fushë, pasi mesfushori Robert Mathieu Ndjigi u ndëshkua me karton të kuq.
Ndeshja është duke u zhvilluar në stadiumin “Zahir Pajaziti”, në Podujevë dhe i takon javës së tretë të Superligës së Kosovës në futboll.